Obama i fal dënimin bashkëpunëtores së Wikileaks

18.01.2017 15:28:53

Presidenti Barack Obama ka falur nga dënimi Chelsea Manning, bashkëpunëtoren e Wikileaks dhe analiste e ushtrisë amerikane e cila u dënua me 35 vite burg për rrjedhje të informacionit shtetëror.

29 vjeçarja do të lirohet më 17 maj në vend që të qëndronte në burgim ushtarak deri më vitin 2045 siç ishte dënuar fillimisht. E dënuar nga Gjykata e Ushtrisë Amerikane me 35 vite burgim, Manning publikoi nga Wikileaks me mijëra dokumente të njohura si Logot e Luftës së Irakut dhe Ditari i Luftës Afgane.

Disa ditë më parë themeluesi i WikiLeaks, Julian Assange u shpreh se pranonte që të ekstradohej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke vendosur një kusht të vetëm, faljen dhe lirimin e Chelsea Manning. Kjo do të thoshte se Assange pranon që të largohet nga ambasada ekuadoriane në Londër për t’u ballafaquar me akuzat e spiunazhit. Ushtari transgjinor, Chelsea Manning është dënuar me 35 vjet burg për dorëzimin e 7 mijë dokumenteve diplomatike të ushtrisë.