OBSH: Heqja e kufizimeve në të njëjtën kohë kundër coronavirusit – ide e keqe

06.04.2020 20:39:15

Një zyrtar i Organizatës Botërore të Shëndetësisë tha sot se vendet që planifikojnë t’u japin fund masave të izolimit të popullsisë duhet ta bëjnë këtë në mënyrë graduale.

Drejtori i OBSH-së për situata emergjente, Mike Ryan rekomandoi vendet që këtë ta bëjnë nëpër faza, duke mos hequr të gjitha kufizimet në të njëjtën kohë.

“Do të ishte një ide e keqe të hiqni të gjitha kufizimet në të njëjtën kohë”, tha Ryan.

Ai tha se shtetet nuk duhet të dalin nga izolimi pa pasur më parë një plan për të mbajtur përhapjen e COVID-19 në një nivel të kontrollueshëm.

“Izolimi zvogëlon përhapjen e sëmundjes. Kur hiqet izolimi, duhet të kesh metoda alternative për të ndaluar infeksionin”, tha Ryan.

Sipas tij, shtetet duhet të kenë sisteme që të zbulojnë raste infektive, të monitorojnë kontaktet, të karantinojnë rastet e dyshuara dhe të testojnë popullsinë gjerësisht për sëmundjen.