OBSH: Pandemia nuk do të përfundojë këtë vit

02.03.2021 11:39:41

Është e pamundur ta mposhtim virusin deri në fund të vitit 2021. Kjo deklaratë u bë nga OBSH-ja, e cila thekson se do ishte joreale të pritej fundi i pandemisë këtë vit.

“Do të ishte herët dhe mendoj jo reale, të mendojmë se do të mposhtim virusin deri në fund të vitit”, tha drejtori ekzekutiv i Organizatës Botërore të Shëndetësisë i shërbimeve të urgjencës, Michael Ryan.

“Nëse vaksinat fillojnë të kenë ndikim jo vetëm në evitimin e numrit të viktimave dhe në shtrimin e pacientëve në spitale, por një ndikim të rëndësishëm në dinamikën e transmetimit dhe rrezikun e transmetimit, atëherë unë besoj se ne do të përshpejtojmë drejt kontrollit të kësaj pandemie”, shtoi ai.

Bazuar në të dhënat e Worldometer, numri i përgjithshëm i të infektuarve nga koronavirusi u rrit në 114 milionë, derisa numri i viktimave deri tani është 2.5 milionë.