Oferta e çmendur e kinezëve të Chongqing për Iniestën!

03.05.2018 17:33:34

Një ortek me para dhe miliona shishe vere. Kjo është oferta e presidentit të skuadrës kineze Chongqing Dangdai, Lizhang, mbi tryezën e Andres Iniestës. Sipas “El Mundo Deportivos”, që ka patur mundësi të shohë detajet e kontratës, mesfushorit thuajse 34 vjeç i ofrojnë 27 milionë euro neto në sezon për tre vitet e ardhshme, pagë e cila kalohet vetëm nga shuma që përfitojnë Lionel Messi dhe Neymar Junior dhe që është shumë më e lartë se paga e Cristiano Ronaldos. Por jo vetëm kaq, sepse në oferta përfshihen edhe 6 milionë shishe verë “Bodega Iniesta”, me kosto 6 euro njëra.

Përfitimet për iniestën do të jenë edhe më të larta nga të ardhurat që do të sigurohen nga të drejtat e imazhit, që futbollisti dhe klubi do t’i ndajnë 50 me 50.

“Truri” i mesfushës së Barcelonës të premten e kaluar njoftoi lamtumirën nga klubi ku ka kaluar të gjithë karrierën e tij, por pa e zbuluar destinacionin e ri. E me sa është zbuluar, oferfta e Chongqing nuk ishte e vetme nga Kina, ndërsa mundësinë për t’u transferuar te Manchester City futbollisti e hodhi poshtë duke deklaruar se nuk mund të luante kundër Barcelonës, sigurisht nëse shorti i Championsit do t’i vinte përballë.