OJQ IDEA: Të gjitha institucionet në Kosovë duhet të nxjerrin mësime nga rasti me te miturën në Drenas

07.02.2019 20:48:59

Organizata Joqeveritare IDEA, ka reaguar lidhur me rastin e keqpërdorimit seksual të një të miture në Drenas.

Një e mitur në Drenas u raportua se është keqpërdorur seksualisht nga mësimdhënësi i saj dhe një hetues policor. Dje, hetuesi policor është arrestuar, ndërsa mësimdhënësi është risuspenduar nga puna.

“Organizata IDEA dënon ashpër ngjarjen e ndodhur para disa dite ku është abuzuar seksualisht nxënësja, e mitura nga Komuna e Drenasit nga të dyshuarit dhe kërkon masat e menjëhershme ndaj tyre të cilët në bazë të obligimeve të tyre ligjore dhe etike, do të duhej të siguronin dhe ofronin mbrojtjen e fëmijëve”, thuhet në reagim.

Ja reagimi i plot i OJQ IDEA:

OJQ  IDEA dënon ashpër ngjarjen e ndodhur para disa dite ku është abuzuar seksualisht nxënësja, e mitura nga Komuna e Drenasit nga të dyshuarit dhe kërkon masat e menjëhershme ndaj tyre të cilët në bazë të obligimeve të tyre ligjore dhe etike, do të duhej të siguronin dhe ofronin mbrojtjen e fëmijëve. Ngjarja ka mbledhur reagime nga më të ndryshmit. Politikanët, përfaqësuesit dhe shoqërisë civile dhe shumë qytetarë u futën në garë reagimesh duke dënuar këtë ngjarje. Por kjo rast nxori në pah problemin tashmë e rrënjosur në institucionet e Kosovës, ajo e keqpërdorimit të detyrës nga autoritet te cilët pikërisht për detyrë kane ruajtjen dhe rehabilitimin e rendit publik. Prandaj krimi ne këtë rast nuk duhet konsideruar se është bere vetëm viktimës.  

Ngjarja e ndodhur do të ndikoj negativisht tek qytetarët duke zvogëluar besueshmërinë e tyre ndaj autoriteteve shtetëror, dhe në raste kur në një vend, qytetari humb besimin ndaj organeve shtetërore kjo veçse paralajmëron një kaos nacional. Qeveria duhet të merr masat adekuate dhe të shtoj kontrollin ndaj institucioneve shtetërore në mënyrë që rastet të tilla të mos ndodhin edhe njëherë, kështu që Organizata IDEA i bën thirrje organeve të rendit dhe drejtësisë Policisë së Kosovës, Prokurorisë dhe Gjykatës të ndërmarrin të gjitha masat për të sjellur para përgjegjësisë dhe për të ndëshkuar të dyshuarit për veprat penale përkatëse si abuzim seksual me fëmijë, keqpërdorim i detyrës zyrtare, prishja e rendit publik, shkelje e të drejtave dhe e të tjera.

Reagimet masive nga qytetarët mund të komentohen edhe si një paralajmërim për një revizion në këtë drejtim. Shoqëria me këto reagime po e shpreh dëshirën e saj edhe për një administratë më transparente dhe llogaridhënëse. Të gjitha institucionet në Kosovë duhet të nxjerrin mësime nga këto reagime!

IDEA kërkon dhe iu bën thirrje Mediave dhe të gjithë qytetarëve që të mbrojnë personalitetin e të miturës viktimë dhe të shmangin stigmatizimin, duke mos publikuar dhe shpërndarë imazhet, fotografitë apo të dhënat për fëmijën dhe familjen.