OJQ-ve po u çirret maska: vegla politike e agjenturore, dhe trampolina për t’u futur në politikë

Nga Rexhep Kastrati

Transportin e votuesve deri te qendrat e votimit e kanë bërë edhe më parë të gjitha subjektet politike kryesore, dhe sado jo e pëlqyeshme, megjithatë është një mënyrë se si ato kanë nxjerrë votuesit e tyre potencialë te qendrat e votimit. Mirëpo, kur për këtë angazhohen OJQ-të, atëherë është skandaloze dhe shumë e rëndë, jo vetëm për funksionimin e tyre dhe karakterin e tyre, por për funksionimin e politikës dhe të shoqërisë, pra për funksionimin e demokracisë te ne.

Gjatë viteve kemi parë OJQ, e edhe gjatë protestave të dhunshme të VV-së gjatë vitit 2015-2016, se si organizonin tubime politike dhe ishtin tepër të angazhuara dhe të motivuara politikisht, pra si palë në axhendat politike të partive politike, por këto janë arsyetuar me arsyetime civile dhe të drejtash njerëzore e demokratike.

Në fakt, gjatë tërë viteve, kam shprehur shqetësimin se OJQ-të janë krijuar si forma të kamufluara të angazhimeve politike-agjenturore dhe se mbrapa tyre fshihen rekrutë agjenturash të ndryshme, rekrutë të partive të ndryshme dhe përdoren për axhenda të ndryshme politike dhe agjenturore. Megjithatë, sikurse për çështje të tjera të ndjeshme që kam trajtuar, edhe për këtë çështje ka pasur heshtje të plotë sa nga fakti se shumica ishin të kapur dhe të përfshirë në këso farë punësh të ndyra, sa nga fakti se kishin frikë të shpreheshin për shkak se mund të humbisnin vendin e punës, apo pozitën në ndonjë strukturë partiake apo shtetërore.

Në fakt, historia e OJQ-ve te ne lidhet shumë me linjën udbasho-jugosllavokomuniste, përkatësisht me brezin e pinjojve të Rexhai Surroit, Mehmet Maliqit, Fazli Haxhiut dhe të tjerëve si këta, përkatësisht me emrat e Veton Surroit, Flaka Surroit, Shkëlzen Maliqit, Baton Haxhiut, por edhe i shumë të tjerëve që lidheshin me ta dhe që më vonë do të jenë edhe protagonistë politikë si pjesë e linjës udbasho-jugosllavokomuniste në krye me Veton Surroin,  protagonistë të medieve në krye me Veton Surroin, Baton Haxhiun, e si brez tjetër, edhe Berat Buzhala, Leonard Kërquku, Vehbi kajtazi etj., protagonistë të OJQ-ve në krye me Flaka Surroin, e si brez tjetër edhe Besa Luzha, Visare Gorani etj.

Përveç këtyre, gjatë viteve, pjesëtarë të OJQ-ve, janë përpunuar për t’u futur nëpër parti politike, pa përjashtuar, por duke synuar edhe LDK-në, si formë e pushtimit të saj, dhe në këtë aspekt, pos me aktivitetin e tyre në kuadër të OJQ-ve, ky përpunim dhe kjo parapërgatitje është bërë edhe nëpërmjet medietizimit të tyre, përkatësisht si pjesëmarrës në debate televizive, duke shpërfaqur kështu edhe mënyrën e bashkërendimit ndërmjet OJQ-ve dhe korpusit medietik në Kosovë në përgatijen dhe promovimin e individëve të ndryshëm për t’u katapultuar në politikë, pra edhe në LDK.

Kështu, transporti i votuesve nga OJQ për llogari të një subjekti politik nuk ka bërë vetëm shpërfaqjen konkrete të një keqpërdorimi konkret të OJQ-ve, por ka nxjerrë zbuluar edhe gjithë angazhimet tjera politike të OJQ-ve, siç janë edhe ato që lidhen me organizime të dhunshme dhe kundërshtetërore gjatë viteve 2015-2016, e sidomos ato që lidheshin me vdekjen e Astrit Deharit, në bashkërendim të plotë me koprusin medietik kundër LDK, por edhe me korpusin e portaleve që gjoja janë pro LDK-së, e që janë po aq të faqes së zezë sa edhe ato të parat.