OKB alarmon: Shtatë milionë njerëz në Siri, në gjendje kritike për ushqim

04.04.2017 22:32:57

Pothuajse shtatë milionë njerëz në Siri janë në gjendje kritike për ushqim, ndërsa situata po përkeqësohet çdo ditë për shkak të vazhdimit të luftës, tha të martën një zyrtar i Programit botëror të ushqimit (WFP) të Kombeve të Bashkuara.

Lufta në Siri ka hyrë në vitin e shtatë, duke marrë jetën e rreth 320.000 njerëzve dhe duke shkaktuar zhvendosjen e milionave të tjerë.

“Numri i njerëzve që kanë nevojë për ushqim në Siri ka kaluar gjashtë deri në shtatë milionë. Këta njerëz janë në gjendje kritike për ushqim”, deklaroi për Reuters Muhannad Hadi, drejtor rajonal i WFP-së në Siri.

Hadi, i cili ndodhet në Bruksel në konferencën ndërkombëtare për Sirinë në organizim të BE-së, deklaroi se WFP ka ndarë ushqim për katër milionë njerëz në Siri dhe për pothuajse dy milionë të tjerë në vendet fqinje çdo muaj.

“Numri i njerëzve në nevojë po shtohet, ndërsa situata në terren në përgjithësi nuk po përmirësohet. Në krizën në të cilën ndodhet Siria, ata që më së shumti vuajnë janë fëmijët”, tha ai.

BE jep kontribut për programin sirian WFP, i cili sipas Hadi, kryesisht është i limituar me probleme që përfshijnë një numër të madh të pjesëve të Sirisë.

Sipas Kombeve të Bashkuara, prodhimi i ushqimit ka shënuar rënie dhe ndodhet në nivelin më të ulët. Shumë bujq janë detyruar të braktisin tokat e tyre, pasi përballen me çmime të larta të farave dhe karburanteve për traktorë, andaj prodhimi i grurit ka shënuar rënie të madhe.