Olta Xhaçka rikonfirmohet në krye të Forumit të Gruas Socialiste

17.12.2016 21:11:32

Deputetja Olta Xhaçka është rikonfirmuar në krye të Forumit të Gruas Socialiste pas votimit për struktura e reja të këtij forumi.

Sipas një njoftimi për mediat të shpërndarë nga PS, nga rezultatet paraprake, pjesëmarrja në këto votime është mbi  70% në rang vendi. Sipas parimit “një anëtar, një votë”, 30 mijë anëtaret e Forumit të Gruas Socialiste në të gjithë Shqipërinë, patën mundësinë që me votën e tyre të zgjidhnin drejtueset e reja në të gjitha nivelet.

Për herë të parë në një forum të tillë zhvillohen zgjedhje të këtij lloji. I gjithë procesi ishte i qetë dhe transparent; nuk ka pasur asnjë incident gjatë tij. Qendrat e votimit janë hapur në orën 08.00 të mëngjesit të sotëm dhe janë mbyllur në orën 18.00.

Gjatë këtij votimi u zgjodhën edhe për delegatet e Kongresit të Forumit të Gruas Socialiste.

Këto zgjedhje vijnë pas një procesi të gjatë riorganizimi të këtij forumi, i cili ka nisur që në shtator të këtij viti dhe pritet të mbyllet me mbajtjen e Kongresit të FGS.