Opozita dhe deputetët: Nuk falim tokë në këmbim të liberalizimit të vizave

10.09.2016 11:18:38

Megjithëse Parlamenti Evropian i ka vënë kusht Kosovës, demarkacionin për liberalizim të vizave, kjo nuk ka ndikuar që kundërshtuesit e versionit të tanishëm të demarkacionit të ndryshojnë qëndrim. Ata mbetet të palëkundur në qëndrimet e tyre, se ky demarkacion nuk duhet të kalojë edhe nëse kjo vërtetë kushtëzohet me lëvizje të lirë të qytetarëve të Kosovës.

Partitë opozitare mbrojnë qëndrimet e veta kundër këtij demarkacioni. Zyrtarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës pohojnë se Kosova nuk ka tokë për të falur dhe se kushti i demarkacionit për lëvizje të lirë, është i pakuptimtë, pasi që një kusht i tillë nuk i është vënë asnjë shteti tjetër.

Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi thotë se version i tanishëm, është i papranueshëm për popullin e Kosovës, sepse Kosova humb pjesë të territorit të saj. Ai thotë se për asnjë çmim, madje as për lëvizje të lirë, nuk duhet të copëtohet territori i vendit. Isufi shtoi se nuk mund të falet toka, për presione të ndryshme, pasi që një gjë të tillë, nuk do ta lejonte asnjë popull.

“Ne konsiderojmë se më shumë duhet të bëhet lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar si një kancer i shoqërisë, se sa demarkacioni që nuk iu ka vë asnjë shteti si kusht, prandaj pse Kosova të jetë nën presion të tillë, kur qytetarët e Kosovës nuk mund të falin tokë për hirë të lëvizjes së lirë, derisa dhe në territorin e vet, në pjesën veriore nuk mund të lëvizin qytetarët të lirë, prandaj ky është një paradoks dhe ne konsiderojmë se duhet të bëhet liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, duke mos bërë presion për demarkacion, sepse nuk kemi tokë për të falur”, thotë ai.

Isufi thotë se megjithëse po bëhet presion tek deputetët që ta votojnë këtë formë të demarkacionit, një gjë e tillë nuk do të ndodhë, pasi që deputetët janë të vetëdijshëm, kanë dinjitet dhe nuk do të lejojnë humbje të territorit.

“Tërheqjen e ligjit për demarkacionin me Malin e Zi, që e bëri herën e kaluar, trego se duan të bëjë presion mbi kuvendin, duke i detyruar deputetët të ndryshojnë mendim. Jo vetëm opozita, por dhe deputet të pozitës, kanë dinjitetin e vet, kanë ndërgjegjen e tyre, kanë vullnetin e  popullin e Kosovës dhe nuk lejojnë të humbin territor…Kurdo që të qitet ky variant i demarkacionit, nuk do të kaloj sepse deputetët janë të vetëdijshëm për humbjen e territorit dhe askush nuk pranon, qoftë në pozitë, qoftë në opozitë të humbet territor, për shkak se është bërë shumë sakrificë, është derdhur gjak dhe është fituar liria, që është shumë e shtrenjt, në territorin e plotë të Kosovës, nuk mundet askush asnjë milimetër tokë, t’i fal dikujt”, tha ai.

Edhe deputeti nga radhët e LDK-së, Shpejtim Bulliqi, i cili është ndër deputetët më të zëshëm kundër këtij demarkacioni, thotë për KosovaPress se ekspertët tashmë e kanë thënë fjalën e vet, ku është ardhur në përefundim që Komisioni Shtetëror për demarkacion ka bërë lëshime gjatë punës dhe se si do të zhvillohen proceset politike tash e tutje në vend, varet ekskluzivisht nga politika. Andaj thotë se mbetet i palëkundur në qëndrimin e vet kundër këtij demarkacioni.

“Kam shpresu shumë që këtë Time Out, që u krijua për shkak që atë ditë nuk u vu në votim, politika jonë, politik bërësit do ta shfrytëzojnë, në mënyrë që të reflektojnë edhe të bëhet përpjekje që të përmirësohet diçka nga puna e atij komisioni. Si duket nuk është disponimi i tyre, edhe unë kam friken që pavarësisht situatave, në çdo moment që mund të sillet në Kuvend të Kosovës, do ta kemi prapë një epilog të tillë. Sa i përket meje, unë e kam thënë mendimin tim dhe qëndroj prapa vendimit tim, deri në momentin sa dikush tjetër nuk arrin të më bind me fakte tjera, që puna jonë dhe përfundimet që i kemi nxjerrë flasin ndryshe, jo në këtë formën çfarë e kemi bërë. Deri tash ju e dini që nuk ka fakte tjera, përveç këtyre që ne po i ofrojmë, që këta gabimisht kanë punuar. Prandaj, nuk ka asnjë arsye që të ndërroj qëndrim dhe mendim në këtë aspekt”, thotë ai.

Duke folur për kushtin e vënë për liberalizim të vizave, ai thotë se nuk është demarkacioni por krimi, korrupsioni dhe politikbërja e keqe që e ka sjellë vendin në këtë pozicion.

“Ne faktikisht e dimë shumë mirë, që pika e parë e cila kërkohet për liberalizim të vizave është luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ju e dini shumë mirë, se në këtë aspekt nuk është bërë fare, apo është bërë fare pak dhe është njëra prej pikave kryesore. Si pikë e dytë është çështja e liberalizimit të vizave, prandaj, unë e them që ne nuk jemi duke e izoluar askënd. Fjalën e ka politika, ata ta zgjedhin problemin, sepse faktikisht këta janë ata që na kanë pru në këtë pozicion dhe në qoftë se dikush e ka pru popullin në këtë pozicion, është politika dhe politikbërja e keqe, që janë ka e bëjnë këta njerëz, prandaj është fare lehtë që të tentohet që diku tjetër të hudhet topi por në asnjë formë nuk ka arsye sepse unë mendoj personalisht që ne nuk kemi territor të japim për çështje të liberalizimit të vizave”, thotë ai.

Edhe Lëvizja Vetëvendosje mbetet e palëkundur në qëndrimin e saj sa i përket demarkacionit me Malin e Zi.  Sekretari organizativ i VV-së, Dardan Molliqaj thotë se për ta ky demarkacion me këtë dormë dhe përmbajtje tashmë ka vdekur.

“Për ne si VV, demarkacioni ka vdekur si projekt, ky lloj demarkacioni, ashtu siç ka vdekur më 23 dhjetor të vitit të kaluar Zajednica, përmes vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Më 1 shtator ka vdekur demarkacioni me këtë përmbajtje dhe me këtë formë, nuk ka forcë, nuk ka pushtet që mundet me imponu faljen e territorit të Republikës së Kosovës…Besoj se qytetarët e Republikës së Kosovës kanë të drejtë me pas liri të lëvizjes, kjo gjë po i pamundësohet, po i mohohet nga BE –ja pa të drejtë. Por ata që janë penguesit kryesor të mungesës së liberalizimit të vizave në Kosovë, është Klani Pronto dhe krimi i organizuar në Kosovë“, tha ai.

Ndryshe, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti ka deklaruar se demarkacioni do të përfundon në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Kurse, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arban Abrashi është shprehur i bindur se kjo çështje nuk do të shkojë në Arbitrazh sepse do ta kalojnë në Kuvendin e Kosovës, pasi vija e kufirit është në rregull.