Opozita dorëzoi mandatet, zhvillohet protestë paqësore para Parlamentit

21.02.2019 16:57:00

Protesta e opozitës para sallës plenare të Parlamentit rezultoi e qetë, pas një presioni shumë të fortë ndërkombëtar, që në kor kërkonte evitimin e episodeve të dhunës dhe gjuhës së ashpër.

Ndryshe nga sa ndodhi të shtunën, deputetët e opozitës iu drejtuan qytetarëve njëri pas tjetrit me mesazhe të shkurtra, të cilat i përmblodhi në fund kryedemokrati Basha.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë sot te ky shesh dhe nga ky shesh iu them se ne kërkojmë për shqiptarët vlerat dhe parimet që ju keni për popujt tuaj. Lulzim Basha do të qëndrojë në krahun tuaj në këtë betejë, sepse unë besoj te demokracia europiane, besoj te demokracia amerikane”, tha Basha.

Në fund të fjalës së tij, Basha iu bëri thirrje protestuesve ta ndiqnin drejt Kryesisë së Kuvendit, për të ndërmarrë së bashku aktin e dorëzimit të mandateve.

“Ndiqmëni bashkë me të gjithë anëtarët, edhe për pak minuta të opozitës në këtë Parlament. Asnjëri të mos mungojë. Ejani të gjithë pas nesh në këtë drejtim për të dorëzuar në mënyrë përfundimtare dhe të pakthyeshme mandatet e deputetëve për t’i dhënë fund fasadës së këtij regjimi kriminal. Të gjithë pas meje për të finalizuar këtë akt historik, patriotik, kombëtar dhe europian”, deklaroi Basha.

Turma e protestuesve u spostua në këmbë nga njëra seli e Parlamentit te tjetra. Deri në këto momente, kryeministri Rama e kishte ndjekur protestën nga zyra e Gramoz Ruçit në Kryesinë e Kuvendit, por u spostua në Kryeministri pak para mesditës.

Vetëm pak çaste para se protestuesit të mbërrinin në bulevard, eskorta e Ramës u pa të largohej.

Pak metra më tutje, në Kryesinë e Kuvendit hyri për të dorëzuar mandatet vet Lulzim Basha, i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i demokratëve, Gazment Bardhi, si dhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.

Rreth 30 minuta më pas, kryetari i PD-së komunikoi me gjeste se gjithçka ishte kryer.

Me kthimin e Bashës në selinë blu, edhe protestuesit zbrazën bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa kryedemokrati mbylli protestën me Himnin e Flamurit, por pa caktuar një tjetër datë të takimit me qytetarët në shesh.

“Prej ditës së sotme, ne jemi qytetarë të thjeshtë në krahun tuaj, me ju dhe për ju. Nisëm sot një rrugëtim shprese, i cili nuk do të ndalet derisa destinacioni europian i këtij vendi të bëhet realitet”.