Opozita e quan ‘lojë të rrezikshme’ kthimin e Asociacionit dhe Demarkacionit

08.02.2017 17:06:38

Partitë opozitare i bëjnë  thirrje Qeverisë së Kosovës që të heq dorë nga insistimi i formimit të Asociacionit dhe ratifikimit të Demarkacionit, marrëveshje këto që sipas tyre janë të dëmshme për vendin.

Për më tepër ata e quajnë lojë të rrezikshme kthimin e tyre në agjendën e Qeverisë, shkruan lajmi.net.

Zyrtarë të partive në koalicionin qeverisës kanë deklaruar se synojnë që Demarkacionin me Malin e Zi ta dërgojnë për ratifikim në Kuvend gjatë muajit shkurt në mënyrë që të arrihet hapi për liberalizim të vizave.

Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Nismës për Kosovën shprehen të vendosur që këto dy marrëveshje në formën aktuale të mos kalojnë, duke paralajmëruar se nuk do të rrinë ‘duar kryq’.

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Shkodran Hoti i ka cilësuar si të gabuara dhe të dëmshme veprimet e institucioneve që t’i kthejnë këto dy marrëveshje.

“Ne i cilësojmë si veprime tejet të gabuara dhe të dëmshme për shkak se  Hashim Thaçi, Isa Mustafa e  Kadri Veseli po duan t’i rikthejnë dy marrëveshje të cilat tashmë janë demaskuar dhe dihet që janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ka thënë Hoti për lajmi.net.

Ai e ka quajtur të  ‘lojë të rrezikshme’ , kthimin e këtyre dy marrëveshjeve duke paralajmëruar se do të ketë edhe kundërshtime.

“Ne i bëjmë thirrje pushtetit që mos të fillojë këtë lojë të rrezikshme sepse është kërcënim direkt i shtetësisë së Kosovës. Nëse pushteti vendos ta bëjë një gjë të tillë ne nuk do të rrimë duarkryq. Për mënyrat se si do të veprojmë ne do të koordinohemi edhe më partitë tjera opozitare dhe shoqërinë civile”, është shprehur ai.

Valdete Bajrami, shefe e grupit parlamentar të Nismës për Kosovën, ka thënë për lajmi.net  se tashmë dihet se Qeveria është e gatshme t’i përmbush kërkesat e Serbisë, por këtë nuk do ta lejojnë populli dhe paritë opozitare.

“Se kjo qeveri është në gjendje t’i përmbushë kërkesat e Serbisë tash më e dimë të gjithë, por, fatmirësisht populli dhe deputetët e opozitës por edhe të pozitës nuk kanë lejuar dhe nuk lejojnë që të jetësohen ato marrëveshje ashtu siç i ka nënshkruar z.Mustafa”, ka thënë Bajrami.

Ajo ka thënë se me vendimin e  Gjykatës Kushtetueses është vërtetuar se kundërshtimi i Nismës për Asociacionin ka qenë i drejtë. Ajo ka thënë se duhet respektuar vendimi i Kushtetueses sikur edhe peticioni i mbi 2 mijë qytetarëve për Demarkacionin.

“ Marrëveshje e demarkacionit rrezikon që vendit toni t’ja humb mbi 8200 ha. Vendimi i gjykatës kushtetuese për AKS-në duhet të respektohet por edhe peticionin mbi 205 mijë qytetarëve të cilët e kundërshtuan demarkacionin duhet të respektohet”, ka thënë Bajrami.

Të martën pasdite krerët e shtetit presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Isa Mustafa dhe kryeparlamenetari Kadri Veseli, kanë zhvilluar një takim në të cilin kanë diskutuar për veç tjerash edhe  Asociacion dhe Demarkacionin, ku janë zotuar se do t’i kryejnë obligimet e marra ndërkombëtare.