Opozita i thotë “Po” thirrjes së Mustafës

19.09.2016 09:50:33

Dy partitë më të mëdha opozitare, Lëvizja “Vetëvendosje” dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë pranuar që t’i përgjigjen thirrjes eventuale të kryeministri Isa Mustafa, për të debatuar edhe një herë çështjen e demarkacionit me Malin e Zi.

Derisa partia më e vogël e opozitës, “Nisma” thotë se debati i ri për kufirin është një lloj tradhtie, AAK-ja dhe LVV-ja thonë se në këtë takim përfundimisht Demarkacioni do të konstatohet i vdekur dhe do të ecet përpara me proces të ri.

Kryeministri Mustafa ka deklaruar se jo më larg se në fillim të muajit tetor, pritet të nisë një raund i ri bisedimesh rreth përafrimit të qëndrimeve mbi kufirin me Malin e Zi.

Ai tha se ratifikimi i Demarkacionit do të kryhet brenda muajit të ardhshëm përkundër faktit se paraprakisht u ka bërë thirrje opozitës për bisedime. Megjithatë, Mustafa ka thënë se me këtë ftesë do t’i jepet mundësi e dytë të gjithëve për sjelljen e fakteve rreth mëdyshjes së vijës kufitare me Malin e Zi.

“Unë e kam bërë këtë ftesë. Ky takim mund të bëhet pasi unë t’i marr të gjithë informatat nga kryetarët e komunave. Po ashtu takime jam duke bërë edhe me banorët e atyre anëve. Në fillim të tetorit do ta takoj opozitën dhe t’i qesim të gjitha faktet e që ne do të shohim se si t’ia bëjmë. Unë nuk konsideroj që marrëveshja të riprocedohet, por që ne deri më tani nuk kemi fakte që e thonë të kundërtën. Ne duhet të ulemi edhe t’i qesim faktet edhe një herë. Kjo zvarritje na pengon, si në liberalizmin e vizave e që deri më tani jemi dëmtuar shumë”, ka thënë Mustafa.