Opozita merr vendimin, protesta deri në rrëzimin e Ramës

19.01.2019 14:54:50

Në përfundim të mbledhjes së Këshillit Kombëtar, Partia Demokratike mori vendimin politik për organizimin e protestave në mbarë vendin.

Këshilli i zgjedhur sot vendosi të ngarkojë strukturat drejtuese të partisë me organizimin e protestave për largimin e Edi Ramës.

Në një dalje për mediat nënkryetari i PD-së, Edi Paloka tha se Këshilli ngarkoi strukturat drejtuese të PD-së të merren me organizimin e protestave në mbarë vendin me një qëllim të vetëm: Rrëzimin e qeverisë dhe të Edi Ramës.

“Pas asaj që ndodhi në parlament seancën e fundit, sot Këshillit Kombëtar iu kërkua të vendosë lidhur me qëndrimin politik që do të mbajë PD dhe këshilli ngarkoi strukturat drejtuese të PD-së që të merren me organizimin e protestave në mbarë vendin me një qëllim të vetëm, rrëzimin e qeverisë dhe të Edi Ramës.

Gjithashtu Këshilli mori vendim politik që si zgjidhje politike pas rrëzimit të qeverisë “Rama”, një qeveri tranzitore, kalimtare të merret me organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Kjo do të jetë rruga që do të ndjekë PD dhe jam i bindur që do të mbështet nga gjithë opozita shqiptare e bashkuar në një front të vetëm”, tha Paloka.