Opozita:KOmisioni për demarkacion absurd

17.01.2017 14:09:11

Kryeministri Isa Mustafa ka paralajmëruar se javën e ardhshme pritet të nisë punën komisioni për matjen e territorit të Kosovës, në mënyrë që t’i jepet zgjidhje çështjes së demarkacionit me Malin e Zi.

Por, partitë opozitare ende nuk i kanë dërguar propozimet e tyre për të qenë pjesë e këtij komisioni. Madje as nuk e kanë ndërmend të bëjnë një gjë të tillë, pavarësisht pritjes së kryeministrit. Sipas opozitarëve, kjo është përpjekje e Mustafës për të blerë kohë.

Një komision i ri do ta bëjë matjen e territorit të Kosovës, për të parë nëse Kosova ka humbur territor apo jo me marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi. Kryeministri Isa Mustafa në një intervistë për Zërin e Amerikës ka thënë se ka marrë propozimet nga shumica e subjekteve politike për të qenë pjesë e këtij komisioni, por jo edhe nga opozita.

“Nuk i kemi marrë ende propozimet vetëm nga partitë opozitare, Vetëvendosje, Aleanca dhe Nisma. I kemi do të thotë nga të gjitha subjektet tjera, I kemi diku 17 subjekte, I kemi marrë propozimet. Do të fillojmë javën e ardhshme që komisioni të punojë dhe ta bëjë punën e tij”, ka thënë Mustafa.

Kreu i Qeverisë pret edhe më tej që edhe opozita të jetë pjesë e këtij komisioni. Por, opozita, duket se nuk e ka ndërmend t’i dërgojë propozimet. Madje, në Vetëvendosje thonë se as nuk kanë marrë ftesë zyrtare. Zëdhënësi i kësaj lëvizje Shkodran Hoti thotë se formimi i këtij komisioni është një përpjekje tjetër e Qeverisë për ta ringjallur një çështje që është shpallur e vdekur më 1 shtator nga vetë kjo qeveri e cila nuk arriti atë ditë të nxjerrë një vendim. Hoti tha se duhet të rishqyrtohet tërësisht demarkacioni dhe të formohen dy komisione të reja.

“I shohim të domosdoshme dy komisione, komisionin për rishqyrtimin e tërësishëm të demarkacionit, pra të kthehet në pikën zero dhe të rishqyrtohet tërësisht dhe komisionin e dytë, I cili merret me punën e deritashme të komisionit shtetëror të udhëhequr nga Murat Meha. Me saktësisht me shkeljet e ndryshme procedurale, por edhe penale nëse ka”, tha Hoti për Radio Kosovën.

Ndërsa, sipas shefes së Grupit Parlamentar të Nismës, kjo iniciativë e Qeverisë, është vetëm sa për të fituar kohë në kundërshtimin që opozita ia bën marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi.

“Ne nuk pranojmë të jemi pjesë e një komisioni të tillë, përderisa Mustafa nuk e sjellë në Kuvend për t’i dhënë një verdikt marrëveshjes së mëhershme të cilën ne vazhdimisht e kemi kundërshtuar. Ajo marrëveshje duhet fillimisht të vijë në Kuvend, të rrëzohet dhe gjithë procesi të fillojë nga pika zero”, tha Bajrami.

Për opozitën propozimi për matjen e territorit është absurd, duke pasur parasysh faktin se Kosova nuk ka vijë të përcaktuar kufitare me Shqipërinë dhe Serbinë, e rrjedhimisht derisa nuk ka demarkacion me këto shtete, nuk mund as të bëhet matja e kufirit. Prandaj, opozita e konsideron këtë iniciativë të kryeministrit Mustafa vetëm sa për sy e faqe.

Më 1 shtator të vitit të kaluar, kryeministri Mustafa e tërhoq nga rendi i ditës, ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, për shkak të mungesës së Listës Serbe, e po ashtu duke parë edhe disponimin e një pjesë të deputetëve të koalicionit qeverisës që kanë shprehur qëndrimin e tyre kundër kësaj marrëveshje.