Opozitës: Cilat akuza mund t’i pezullojë Qeveria e Kosovës: ato që i ka ngritur Serbia?

12.10.2016 13:36:53

Nga Rexhep Kastrati

Të vetmin dallim ndërmjet tekstit të propozuar nga shumica dhe tekstit të propzuar nga pakica kuvendore e përbenë kjo pikë: “Kuvendi kërkon nga Qeveria e Kosovës pezullimin e bisedimeve deri ne lirimin e Thaqit dhe pezullimin e të gjitha akuza ndaj ish-ushtarëve të UÇK-së”. Kjo pikë, brenda saj ka dy probleme themelore: realizimin e një interesi të Serbisë (suspendimi i negociatave në Bruksel), dhe shpërfaqen e një marrëzie juridike ( kërkesa e Kuvendit ndaj Qeverisë që të pezullojë të gjitha akuzat ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së). Lidhur me çështjen e pezullimit të negociatave kam shkruar në reagimin ndaj propozimit të njëjtë të Shqip Mujës, prandaj nuk po merrem përsëri me të, kurse sa i përket kërkesës së Kuvendit që Qeveria e Kosovës të pezullojë të gjitha akuzat ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, duhet thënë se kjo është një marrëzi juridike e qëllimshme, apo -edhe një dashakeqësi e qëllimshme politiko-juridike. Është kështu për faktin se opozita nuk sqaron se për çfarë akuzash e ka fjalën: për ato që i ka ngritur Serbia? Nëse e ka fjalën për këto akuza, Qeveria e Kosovës nuk ka mundësi juridike dhe institucionale që t’i pezullojë, pasi që ato janë akuza që i ka ngritur Serbia. Nëse e ka pasur fjalën për disa gjykime dhe hetime që janë duke u realizuar në Kosovë, duhet thënë se Qeveria nuk mund të marrë vendim për pezullimin e tyre, sepse nuk është në kompetencën e saj një pezullim i tillë. Dhe në një rast të tillë, pra kur kërkohet pezullimi i akuzave ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, nuk mund të mos përmendi adresimin që Ganimete Musliu i bëri Rexhep Selimit se komadantët e UÇK-së janë në burg pasi që shokët përreth tij kishin bërë dosje për ta. Prandaj, është interesante se si pas këtyre akuzave që kryesisht iu drejtuan njerëzve rreth Rexhep Selimit për dosje ndaj komadantëve të UÇK-së, opozita mund të kërkojë pezullimin e akuzave ndaj tyre.