Ora e Nëntorit dhe ora e jetës

27.11.2019 18:21:26

Nga Dije LOHAJ

Shqetësimet ziejnë shpirtin tonë
Në gijotina planetare
Merr frymën e fundit,
Para syve të botës
Derdhur orbitave,
Ozonove,
Kataklizmave.
Nëpër ato ura të skuqura ferri,
Që gjyshja na i tregonte me përralla,
A po jep shpirt shpirti ynë,
Bashkë me shpirtin e botës?
A po gozhdohet nga Zoti a nga njeriu?
Në dhjetorin e fundit të botës,
Me ditë të errëta
E me net të verbuara.
Çfarë?
E nëse jeta jo?
Klithin vargjet e mia,
Sa profetike, sa satanike,
Por që nuk lënë,
Që gjithçka të mos mbetet
As kor i zi i kukuvajkave,
Lagur përvajshëm nga shirat gjak.
Ah, orë dhjetori!
Me numrat
Dy,
Zero,
Një dhe
Prapë dy,
Të ndaloj unë
Me orën e jetës sime,
Para kumtit të zi të kataklizmit,
Lakuriqosur nga mëkatet
Nëpër errësirën e botës,
Tek qiellin gris,
Tek diellit i merr dritën time.
Tek pret palët e dheut
E prish mitin e Anteut.
Jo, bota nuk është zog feniksi
Të ringjallet nga hiri i zisë,
Në përrallën e re,
Që një Zot e di
A do të ketë zot a zog për ta kënduar?
A do të ketë zot a zog për ta dëgjuar?