Osmani: Demarkacioni s’është kriteri i fundit për liberalizim të vizave

22.09.2016 19:08:32

Ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi, nuk është kriteri i fundit para liberalizimit të vizave siç proklamohet nga qeveria. Një deklarim të tillë e ka bërë sot Vjosa Osmani, deputete e LDK-së në Kuvendin e Kosovës.

Deputetja e LDK-së, njëherësh edhe anëtare e Komisionit për Integrime, ka thënë se kjo është një nder arsyet e kundërshtimit të saj për demarkacionin i cili nga një marrëveshje ndërshtetërore, është kthyer në një kriter për liberalizimin e vizave.

Osmani ka thënë se është vetëm iluzion i zyrtarëve të qeverisë të cilët pohojnë se votimi i demarkacionit është kriteri i fundit i mbetur para liberalizimit, citohet të ketë thënë ajo për Indeksonline.

Sipas saj kriteri i fundit është ai luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, e që qeveria e Kosovës, do të ketë shumë të vështirë plotësimin e tij.

“Sepse kjo i bie që duhet të shkarkohen nga pozitat një numër i madh i zyrtarëve të lartë në qeveri, të cilët janë të përfshire në korrupsion dhe krim të organizuar”, tha ajo.

“Ne fakt, fjalimi i shefes së re të Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova dhe i të gjithë folësve te tjerë në konferencën për MSA-ne vetëm sa e përforcoi vlerësimin se pengesa kryesore për liberalizim te vizave është krimi dhe korrupsioni”,tha ajo.

Sipas Osmanit, demarkacioni po përdoret si fasade për të mbuluar problemin e vërtetë që po e pengon liberalizimin, e që janë pikërisht këto fenomene negative.