Osmani: Në Parlamentin e Belgjikës diskutuam edhe për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës

13.01.2021 15:36:14

Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani po qëndron në vizitë dyditore në Bruksel. Gjatë së mërkurës Osmani u takua me Presidenten e Senatit, Stephanie D’Hose dhe kryetaren e Dhomës së Përfaqësueseve, Eliane Tillieux në Parlamentin e Belgjikës.

Osmani ka treguar se në këtë takim ka falënderuar Belgjikën për mbështetjen që i ka ofruar popullit të Kosovës. ndërsa thekson se në veçanti u diskutua për rëndësinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

“Në Parlamentin e Belgjikes sot, në takim me Presidenten e Senatit, Stephanie D’Hose dhe Kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Éliane Tillieux i falenderova për mbështetjen që ka ofruar Belgjika për popullin e Kosovës në kohët më të vështira, si dhe për procese të ndryshme strategjike në fazën e shtetëndërtimit të vendit, duke theksuar rëndësinë e madhe që ka partneriteti i Kosovës me Belgjikën për finalizimin e procesit të integrimit të Kosovës në familjen Evropiane. Diskutuam në veçanti edhe për rëndësinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Theksova që liberalizimi jo vetëm që do t’i mundësontë qytetarëve të Kosovës të marrin më të mirën e Evropës dhe ta sjellin atë në Kosovë, por njëherit do ta ofronte Evropën më afër një kapitali të jashtëzakonshëm njerëzor, duke folur për numrin e madh dhe përgatitjen e jashtëzakonshme të të rinjve tanë”, ka shkruar Osmani në “Facebook”.