Osmani thotë se ligji për dialogun lë hapësirë për t’u negociuar shtetësia e territorit të Kosovës

04.02.2019 22:27:24

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se nëse ligji për dialogun miratohet si është, lë hapësirë për negocimin e territoreve.

Osmani, në “Dossier D” në RTV Dukagjini ka thënë se nëse Ligji për dialogun miratohet pa u ndryshuar, Hashim Thaçi do të ketë hapësira manovrimi.

“Ligji për ne si LDK është i panevojshëm dhe i kotë. Mirëpo nëse miratohet edhe në lexim të dytë kështu si është, arrin efekte të rrezikshme pasi lë hapësirë për t’u negociuar shtetësia e territori”, tha ajo.

Osmani thotë se e ka thënë Bashkimi Evropian se ekipi negociator do të jetë ndihmës i Hashim Thaçit, pasi formati i përcaktuar është në nivel presidentësh.

Deputetja e LDK-së ka thënë se PSD është subjekti opozitar që është tërhequr nga rrëzimi i Qeverisë dhe i është bashkuar koalicionit PANA.

Sipas Osmanit, të jeshë në anën e Qeverisë nuk nënkupton vetëm të futesh në Qeveri, por ka edhe shumë mënyra tjera që sipas saj PSD tashmë po “përfiton” nga pozicioni i saj i ri politik.

“Ne i kemi pasur nënshkrimet e mbledhura para se PSD t’i sjellë nënshkrimet. Është PSD-ja ajo që u tërhoq në mënyrë që të mos shkohet në zgjedhje, vendosi të bëjë pazare të ulëta politike që po mundohen t’i paraqesin si të mira”, tha Osmani.