Ottmar Hitzfeld: “Talenti s’mjafton që të bëhesh si Robben apo Ribery”

19.01.2017 19:57:07

Ottmar Hitzfeld e sheh shumë të vështirë ndërrimin e brezave te Bayern, më saktë në krahët e mesfushës ofensive. Sipas ish-trajnerit të kampionëve të Gjermanisë, Franck Ribery dhe Arjen Robben janë lojtarë thuajse të pazëvendësueshëm. Këtë sezon të dy senatorët e skuadrës rinovuan kontratat e tyre deri në vitin 2018, por klubi po përgatitet për të patur dy mesfushorë të tjerë titullarë në të ardhmen. E natyrshme: njëri është 33 vjeç, tjetri 32.

Douglas Costa dhe Kingsley Coman pritet që të “marrin fronin”, por “Gjenerali” nuk pret që kjo të ndodhë edhe aq shpejt. “Bayern po përgatitet që tani për të ardhmen, por Robben dhe Ribery janë titullarë të sigurt kur janë të gatshëm për lojë. Lojtarë si ata nuk zëvendësohen lehtë. Ata nuk janë thjesht lojtarë të shkëlqyer, por gjithashtu të një niveli tjetër. Strategjia duhet të jetë rritja dalëngadalë e lojtarëve pas tyre”, – u shpreh Hitzfeld në “TZ”.

Duke argumentuar mendimin e tij për gazetën e Mynihut, ish-trajneri i Zvicrës shtoi: “Douglas Costa dhe Kingsley Coman po luajnë rregullisht. Ata janë blerë për t’u rritur te Bayern, por nuk mund të presësh që të jenë që tani në të njëjtin nivel me dyshen Robben-Ribery. Të dy janë sulmues të klasit botëror. Ata gjithnjë e kanë një zgjidhje në fushë. Talenti s’është i mjaftueshëm për t’u bërë një lojtar i klasit botëror. Bayern duhet të jetë krenar që ka lojtarë të tillë.”