Pa bashkërendimin e Kosovës me aleatët strategjikë të realizuar nga presidenti Rugova, nuk do të kishte ndërhyrje të NATO-s

24.03.2017 14:10:45

Nga Rexhep Kastrati

Intervenimi i NATO-s ndaj caqeve serbe ka qenë dhe ka mbetur unik në historinë kësaj organizate që nga themelimi i saj, sepse asnjë herë më parë dhe asnjëherë më vonë nuk ka pasur një intervenim të këtillë, me motve dhe me argumente si në rastin e Kosovës. Pas sehirit që kish bërë në rastin e Bosnjës, edhe për shkak të mungesës së konsesnusit brenda saj për intervenim, NATO kishte marrë vendimin e duhur dhe me një konsensus të plotë për tëpenguar një plan shfarosës ndaj shqiptarëve, që ishte bërë i njohur fillimisht nga ish-kryeministri slloven, Janez Jansha, pra plani “Patkoi”.

Dhe ky intervenim ndodhi kryekëput si rezultat i angazhimit të plotë dhe të suksesshëm të lëvizjes liri, pavarësi, demokraci të udhëhequr nga presidenti Rugova, i cili si një vizionar i madh, kishte parashikuar të gjitha fazat e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, dhe kishte penguar planet serbe, ruse, sllavo-maqedone, kroate etj., që të përfshihej edhe Kosova në luftën që zhvillohej në Kroaci dhe në Bosnjë, e që do ta kishte zhbërë çështjen shqiptare në ish-Jugosllavi. Është kështu për faktin se qëllimi i gjithë këtyre ka qenë që të hapej një front lufte në Kosovë, për të orientuar Serbinë kundër shqiptarëve, dhe për të hapur që atëherë çështjen e copëtimit të saj.

Kur bëhet fjalë për Kosovën, jo njëherë ajo ishte tradhtuar nga të tjerët: më 1989, sekretari i LKJ-së, kroati Stipe Shuvar kishte tradhtuar minatorët e “Trepçës” të cilëve u kishte premtuar se nuk do të hiqej autonomia e Kosovës, por më pastaj nuk kishte penguar këtë. Në anën tjetër, më 1991, në karagjogjegjevë ishin takuar Milosheviq, Tuxhman dhe Izetbegoviq, dhe ishin pajtuar që Kosova ishte çështje e brendshme e Serbisë. Pra, në çdo rast, kroatët dhe boshnjakët kishin ndërtuar raporte me Serbinë, kishin provuar që të zbutnin Serbinë duke bërë pazare në dëm të Kosovës. Prandaj, edhe refuzimi i presidentit Rugova për të hapur frontin jugor, edhe në takimin e drejtpërdrejtë që ka pasur në Zagreb me Franjo Tuxhmanin ka paraqitur një nga hapat më të rëndësishëm në historinë e Kosovës dhe të shqiptarëve, sepse shpëtoi Kosovën dhe shqiptarët nga një tragjedi e përmasave të mëdha, të tillë që tragjedia e Bosnjës do të ishte asgjë, krahasuar me tragjedinë që do ta pësonte Kosova dhe shqiptarët.

Me rrugën e tij të angazhimeve racionale, të kujdesshme, të matura dhe në bashkërendim të plotë me aleatët strategjikë, presidenti Rugova arriti që të lartësonte Kosovën, të lartësonte shqiptarët dhe të fuste çështjen shqiptare në rrugën e pakthim të zgjidhjes. Dhe është kjo rrugë, rruga e shpresës, rruga e shpëtimit dhe rruga e mbështetjes ndërkombëtare që ka bërë që Kosova dhe shqiptrët të fitojnë simpatinë botërore, të fitojnë mbështetjen morale dhe politike ndërkombëtare, që Kosova dhe shqiptarët të arrijnë ta zhveshin diplomacinë e Serbisë dhe të aleatëve të saj nga të gjitha rrenat për veten dhe për shqiptarët. Dhe e gjithë kjo e ka bërë më të lehtë edhe vendimmarrjen e aleatëve tanë për të kryer intervenimin ushtarak ndaj caqeve serbe dhe për të shpëtuar një popull të tërë nga masakrat, gjenocidi dhe shfarosja e përmasave të paimagjinueshme.

Dhe të thuash se Serbia u detyrua ta lëshonte Kosovën në mënyrë të tillë, të dështoje të gjitha planet, memorandumet dhe projektet serbe që nga “Naçrtanja” e vitit 1874, e deri te Memorandumi i Akademisë Serbe i vitit 1986, për shfarosjen e shqiptarëve, në një mënyrë të tillë siç e lëshoi falë ndërhyrjes së NATO-s që filloi si sot e 18 vjet më parë, do të thotë se është bërë një mrekulli, që falë Zotit, u mundësua nga lëvizja liri, pavarësi, demokraci dhe bashkërendimi i plotë me aleatët tanë strategjikë në krye me SHBA-të.

Popuj të tjerë që nuk kanë fare shtet, janë duke u munduar me forma të dhunshme, pra edhe me sulme dhe me birgada që të çlirohen, që të fitojnë të drejtën e shtetësisë dhe nuk po arrijnë ta bëjnë këtë, sepse angazhimet e tyre nuk i bashkërenduan me bashkësinë ndërkombëtare dhe nuk arritën që të fitojnë mbështetje morale, qytetare dhe politike. Dhe kështu do të ndodhte edhe me Kosovën dhe me shqiptarët sikur të kishin ndjekur rrugën e atyre popujve, pra të mos bashkërendonin angazhimet e tyre me bashkësinë ndërkombëtare dhe të mos fitonin paraprakisht simpatinë dhe mbështetjen ndërkombëtare.

Pa këto, lufta me Serbinë do të trajtohej si lufta e grupeve baske, kurde etj., kurse intervenimi i ushtrisë dhe policisë serbe do të konsiderohej si i spanjollëve, i turqve  dhe i të tjerëve ndaj popujve përkatës. Aq më tepër kur në krye të asaj që do të quhej UÇK erdhën njerëz të shërbimeve sekrete serbe dhe të agjenturave të tjera kundërshqiptare, që kishin për qëllim që të rrënonin lëvizjen liri, pavarësi, demokraci, të rrënonin imazhin e shqiptarëve, të rrënonin bashkërendimin e plotë ndërmjet Kosovës dhe shqiptarëve me aleatët strategjikë në krye me SHBA-të, dhe kështu të hapnin rrugën për atë që ka ndodhur realisht: ndarjen e Kosovës mbi baza etnike. Dhe ata që deklaronin se UÇK është ushtria tokësore e NATO-s, por që në shtete të ndryshme trajtoheshin si të sëmurë psikikë dhe shfrytëzonin të drejtën e pensionit invalidor, do të vazhdonin të ishin nëpër shtete të ndryshme po të mos ishte intervenimi i NATO-s. Në fakt, pjesa më e madhe e tyre, as që e kanë parë luftën përveçse në televizor, pasi që vazhdonin të patrazuar jetën e tyre luksoze nëpër shtetet e ndryshme, nëpër hotele, duke u gërryer dhe u zhgërryer me paratë e popullit që jepeshin në emër të luftës, e me të cilat u bënë milionerë, paguan vrasës për vrasje politike dhe u munduan të eliminojnë trurin e një populli, në mënyrë që të realizonin më lehtë planet serbe për Kosovën: ndarjen e saj, ose së paku krijimin e një “Republika Srpska” në Kosovë.

Dhe janë 18 vjet të angazhimeve në dy drejtime të Kosovës: drejtimi i parë i bashkërenduar me bashkësinë ndërkombëtare, që procesin e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë e sheh si një proces në vazhdimësi, e që kërkon hapa dhe angazhime strategjike, si dhedrejtimi tejtër është drejtimi që është munduar vazhdimisht ta minonte këtë bashkërendim dhe të vazhdonte me strategjinë për serbe për ndarjen e Kosovës. Drejtimin e parë, pra të bashkërendimit me aleatët në krye me SHBA-të është duke e përfaqësuar LDK dhe shumica e popullit të Kosovës, kurse drejtimin e dytë, atë të kurtheve këtij bashkërendimi me aleatët tanë në krye me SHBA-të është duke e përfaqësuar linja e Tiranës/Kretës dhe ajo udbasho-jugosllavokomuniste dhe korpusi i medieve dhe i të ashtuquajturve analistë, por që pas një kohe gjuhen në partitë e atyre dy linjave. Ndërmjet këtyre dy drejtimeve është zhvilluar dhe po zhvillohet një betejë e madhe politike, medietike, që po synon të përmbyllë realizimin e skenarëve serbo-rusë dhe të aleatëve të tyre, e në anën tjetër, të mbrojë Kosovën nga këta skenarë.

18 vjet pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, Kosova, nëpërmjet të dy linjave: të Tiranës/Kretës dhe të asaj udbasho-jugosllavokomuniste është duke e provokuar dhe duke e goditur keqas bashkërendimin dhe mbështetjen me aleatët tanë strategjikë, njësoj si në fillimin e këtyre angazhimeve më 1998 në emër të një retorike pseudopatriotike që synon manipolimin e opinionit. Dhe kjo po ndodh përkundër faktit se aleatët tanë në krye me SHBA-të po e bëjnë çdo ditë të qartë se nuk është rruga e cenimit të bashkërendimit me ta, ajo që i duhet Kosovës, por pikërisht rruga e bashkërendimit me ta.