Pa përunduar procesi i numërimit dalin numrat e kandidatëve

17.06.2017 23:29:32

Ende pa përfunduar në tërësi procesi kanë filluar të dalin jozyrtarisht e disa edhe zyrtarisht numrat e kandidatëve të partive që do të jenë deputetë në Kuvendin e Kosovës.

Megjithatë, sipas KQZ-së, ka ende vota për t`u numëruar. Pas numërimit të të gjitha votave, pritet certifikimi i rezultateve.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë ka bërë publike të dhënat e çdo vendvotimi për zgjedhjet e 11 qershorit e që janë 2 mijë e 4900 në gjithë Kosovën.

Këtu përfshihen edhe votat se sa kanë fituar subjektet dhe partitë politike por edhe kandidatët që kanë garuar për deputet në Kuvendin e Kosovës. Sipas zyrtarëve të KQZ-së, rezultatet përfundimtare shpallen pas rinumërimit, numërimit të votave me kusht, votave përmes postës, si dhe votave të personave me nevoja të veçanta.

Pavarësisht kësaj, partitë politike por edhe mediat kanë publikuar emrat e disa prej atyre që kanë arritur të bëhen deputet si dhe numrin e tyre që do të përfaqësohen në Kuvendin e Kosovës.

Kësisoj në bazë të rezultateve jo përfundimtar edhe jozyrtare, koalicioni PDK-AAK-NISMA do të ketë 39 deputetë në Kuvendin e Kosovës, ku 19 prej tyre janë nga PDK-ja, 12 nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe 8 deputetë do t`i ketë Nisma për Kosovën.

Partia që drejtohet nga Fatmir Limaj ka mbledhur të shtunën kryesinë e saj ku kanë diskutuar për procesin zgjedhor e që zyrtarisht kanë njoftuar se NISMA do të ketë 8 deputetë në Kuvendin e Kosovës.

Përveç kësaj ata kanë thënë se në këto zgjedhje ky subjekt politik ka pasur një rritje prej 40 për qind në këto zgjedhje.

Gjatë këtij takimi Limaj ka thënë se po punohet që sa më shpejtë pas certifikimit të rezultateve të formohet qeveria me kryeministër Ramush Haradinaj.

Po përderisa NISMA ka folur për deputet e saj që tashmë do të jenë pjesë e Kuvendit asnjëra parti tjetër nuk janë deklaruar për rezultatet që janë publikuar nga KQZ.

Gjithçka që dihet është se figura të njohura si në PDK, LDK dhe të tjera nuk kanë mundur të sigurojnë votat e mjaftueshme për të qenë pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Sipas rezultateve të publikuara deputet të kuvendit të Kosovës janë bërë edhe Kryetarja e Alternativës Mimoza Kusari Lila si dhe bashkëthemeluesi Ilir Deda, përderisa parti e Behxhet Pacollit AKR do të përfaqësohet me 4 deputetë .

Zyrtarë të koalicionit PDK AAK NISMA, LDK AKR Alternativa, si dhe lëvizja Vetëvendosje kanë përsëritur disa herë se po presin rezultatet e KQZ e më pas certifikimin, për të nisur bisedat dhe takimet intensive se kush me kë do t`i krijoj institucionet e reja.