Pacollet ia kthejnë borxhin Shpend Ahmetit. Ja për çfarë bëhet fjalë

08.11.2017 18:18:57

Aleanca Kosova e Re ia ktheu borxhin Shpend Ahmetit pasi vendosi të hyjë në koalicionin e balotazhit për shkak të disa të mirave që ia bëri Komuna e Prishtinës autoriteteve të kësaj partie nën udhëheqjen e Shpend Ahmetit.

Për të përkrahur bizneset e Pacollëve, Ahmeti u detyrua që tokën bujqësore ta kthejë në tokë ndërtimore.

Plani Zhvillimorë Komunal i miratuar në Asamblenë e Prishtinës në gusht të vitit 2013 përcaktojë që një pjesë e tokës në Hajvali që përfshinte edhe disa ara të Pacollëve të mbetej tokë bujqësore, shkruan lajmi.net.

Por, sekretari i AKR-së, Rrahim Pacolli rriti ambiciet prej biznesi duke planifikuar ndërtimin e një objektit hotelier-restorant. Restoranti u planifikua që të ndërtohej në ara dhe për këtë i duhej ndihma e krytarit Shpend Ahmeti.

Me 24 mars 2015, Asambleja e Komunës së Prishtinës kishte miratuar propozimin e kryetarit Shpend Ahmeti për ndërrimin e destinimit të tokës bujqësore në tokë ndërtimore duke e ndërruar Planin Zhvillimor Komunal në të mirë të Rrahim Pacollit.

Fillimisht, Drejtoria e Urbanizmit e udhëhequr nga Liburn Aliu u deshtë që të përmbushë anën ligjore, që ndërtimin e tokës ta qes në diskutim publik. “Drejtoria, më 07.11.2014, ka vendosur njoftimin publik, i cili ka qëndruar në lokacion deri më 28.11.2014, dhe kjo Drejtori gjatë njoftimit publik nuk ka pranuar asnjë ankesë apo sugjerim”, thuhet në në vendimin për miratimin e propozimit të Ahmetit.

 

Pacollët moren dhe disa leje të ndërtimit për ndërtim të shtëpive në vitin 2015 nga drejtoria që udhëhiqej nga Liburn Aliu.

Me 30.10. 2015,  deputeti i AKR-së, Islam Pacolli që është familjar i Behgjet Pacollit është pajisur me leje të ndërtimit për objektin B+P+1 në Hajvali, sipërfaqe ndërtimore ka qenë 1958.05m² dhe leja ka kushtuar €31,567.35. Islam Pacolli ka qenë shef i Grupit Parlamentar të AKR-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

Afrim Pacolli është vëllai i Rrahim Pacollit, është pasitur me leje të ndërtimit me 6 maj 2015. Leja është marrë për objektin individual S+P në Hajvali dhe ka kushtuar 22 mijë e 320  euro.

“Mabetex Properties” sh.a është pajisur me leje të ndërtimit me datë 11.06.2015 për ndërtimin e një qendre rekreative sportiven në zonën ekonomikë në Fushë Kosovë.