Pacolli i palumtur me të arritura e Kosovës, por thotë se duhet festuar

16.02.2017 21:26:22
Lideri i AKR-së Behgjet Pacolli më rastin e 9 vjetorit të pavarësisë së Kosovës ka uruar gjithë qytetarët.
Pacolli përmes llogarisë së tij në Facebook, nuk shprehet i lumtur me të arriturat e vendit në këto nëntë vite pavarësi, por shpreson së vitet e ardhshme të jetë më mirë, transmeton lajmi,net.

Lexo statusin e plotë:

“Të dashur miq dhe qytetarë të Kosovës kudo që jeni! Vetëm pak orë na ndajnë nga data historike e 17 shkurtit. Dita e pavarësisë së shtetit tonë. Nëntë vite shtet. Shtrohet pyetja, a jemi të kënaqur me progresin e arritur deri më tani? Nuk do thoja po, por pavarësisht kësaj, ne kemi shumë arsye për të festuar këtë ditë. Kosova sot është e njohur nga shumica e vendeve të botës, kemi sukses në sport dhe kulturë, kemi miqësi dhe përkrahje të shkëlqyer nga SHBA-ja, dhe në fund: Jemi shtet i pavarur dhe sovran!

Unë jam i lumtur që më datë 17 shkurt 2008 isha prezent në Kuvendin e Kosovës, duke kontribuar në shtetbërjen e saj. Jam i lumtur që para dhe pas kësaj date, kam mundësinë e lobimit të pavarësisë dhe njohjes së Kosovës.

Pavarësia është e mirë. Është themeli i një shteti. Por ajo çfarë na mungon sot është mirëqënia dhe liria për të lëvizur si të tjerët.

Uroj që vitin e ardhshëm, dita e pavarësisë të na presë me më pak probleme, më shumë mirëqënie, dhe me lumturi! Gëzuar të gjithëve!”, shkruan ai.