Pacolli i pasigurt nëse koalicioni i ka votat për ratifikimin e Demarkacionit

25.02.2018 23:44:03
Zëvëndës kryeministri i Kosovës njëherësh ministri i jashtëm, Behgjet Pacolli në një intervistë për lajmi.net ka thënë se debati i gjatë, mund ta shtyejë ratifikimin e demarkacionit të mërkurën.

 

Ai ka thënë se deputetët në disa raste nuk janë të përgjegjshëm, dhe nuk qëndrojnë në sallë.

Pacolli ka theksuar se në momentin që shkohet në votim, koalicioni duhet të jetë i sigurt që të gjithë deputetët janë prezentë.

“Unë e kam vetëm një hezitim për me u shpreh pozitivisht për të mërkurën, kam vetëm një hezitim që do të ketë shumë debat. E di ka shumë deputetë që duan të flasin aty, koha është ajo që është, nuk e di a do të premton koha. Deputetët e Kuvendit të Kosovës nganjherë nuk janë 100% të përgjegjshëm që në momente të caktuara të jenë prezentë në sallë. Kam frikë mos po ndodhë ndonjë lëvizje e deputetëve dikush me arsye dhe dikush pa arsye”, ka thënë Pacolli për lajmi.net

Tutje shefi i diplomacisë kosovare i ka bërë thirrje edhe Vetëvendosjes që ta votojnë marrëveshjen për shenjëzimin e kufirit me Malin e Zi.

Ai është shprehur gjithashtu optimist në votat e Listës Serbe.

“Jam i bindur se serbët do ta votojnë demarkacionin”, ka thënë Pacolli.

Ky i fundit nuk ka dashur të komentojë se çfarë do të ndodhë nëse dështon ratifikimi i Demarakcionit, por ka theksuar se koalicioni është unik.

“Nuk besoj se ka lëkundje të koalicionit dhe koalicioni është unik, por normalisht duhet të jemi të kujdesshëm që në moment tq shkohet në votim të jenë prezentë deputetët që të votohet demarkacioni”, ka thënë presidenti i AKR-së.

Në këtë intervistë Pacolli ka theksuar se nëse demarkacioni ratifikohet deri në fillim të marsit, liberalizimi i vizave do të ndodhë në muajin shtator.