Pacolli i shqetësuar për sulmin terrorist në Kanada

01.10.2017 19:27:28
Zëvendëskryeministri i Parë i Kosovës, njëherësh ministër i Jashtëm i vendit, Behgjet Pacolli, ka shprehur shqetësimin e tij të thellë dhe ka dënuar fuqishëm sulmin terrorist në Edmonton të Kanadasë, si rezulatat i të cilit mbetën të plagosur një oficer policie dhe disa persona të tjerë.
“Jam thellësisht tronditur nga sulmi i ulët dhe qyqar, që ndodhi në qytetin Edmonton në Kanada dhe si rezulatat i të cilit mbeten të plagosur një oficer policie dhe disa persona të tjerë”, ka thënë Pacolli.

“Ne, të gjithë jemi të vetëdijshëm, që fuqia e Kanadasë buron nga diversiteti i shoqërisë së saj dhe ashtu siç e ka thënë edhe Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, ne nuk duhet të lejojmë që ekstremizmi i dhunshëm të krijojë ndarje apo të ndjellë frikë brenda shoqërisë dhe komuniteteve ku jetojmë”, është shprehur kryediplomati kosovar.

“Lutemi, që të gjithë të plagosurit, që ishin viktima të këtij akti të dhunës të kenë shërim sa më të shpejtë. Kosova dhe populli i saj qëndron me popullin dhe Institucionet kanadeze”, ka thënë Pacolli.