Pacolli: Kosova dhe Belgjika të rrisin bashkëpunimin ekonomik

10.10.2017 17:53:01

Kosova dhe Belgjika duhet t’i shtojnë energji të reja përpjekjeve nga të dyja vendet për rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe nxitjes së investimeve.

Kështu ka thënë zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Behgjet Pacolli, gjatë një takimi që zhvilloi në Ministrinë e Jashtme me ambasadorin rezident të Belgjikës në Kosovë, François Bontemps.

Në kuadër të këtij takimi me diplomatin belg, të akredituar në Kosovë është diskutuar edhe në lidhje me nevojën e përkrahjes së këtij shteti për liberalizimin e vizave, avancimin e agjendës euro-atlantike për Kosovën, si dhe për vazhdimin e mbështetjes së Belgjikës për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Belgjika ka qenë dhe vazhdon të mbetet një shtet partner dhe mik i Kosovës, i cili i ka ofruar mbështetje të fuqishme ndaj të gjitha proceseve të shtet-ndërtimit në Kosovë dhe fuqizimit të shtetësisë së Kosovës në komunitetin ndërkombëtarë.