Pacolli: Kosova nuk do të mbetet më vrimë e zezë

22.02.2018 20:25:48

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Behgjet Pacolli, deklaroi sot se miratimi i demarkacionit me Malin e Zi do të hapë një faqe të re për Kosovën dhe se vendi ynë nuk do të mbetet më një vrimë e zezë në Ballkanin Perëndimor.

Ai këto komente i bëri gjatë takimit me ish-Kryeministrin e Suedisë, aktualisht bashkëkryesues i Këshillit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë (ECFR), Carl Bildt dhe ekipin e tij, ku është diskutuar për zhvillimet e fundit në Kosovë, trendet e zhvillimit ekonomik, bashkëpunimin fqinjësor, rajonal si dhe atë ndërkombëtar.

Pacolli tha se qytetarët e Kosovës nuk është dashur të ndihen të izoluar dhe të pabarabartë në raport me bashkëmoshatarët e tyre në vendet tjera mbi parimin themelor të së drejtës për lëvizje të lirë të qytetarëve.

“Ka qenë e padrejtë që Bashkimi Evropian i vuri kusht Kosovës ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi për liberalizimin e vizave. Megjithëkëtë, miratimi i kësaj Marrëveshje, që unë shpresoj që do të ndodhë shpejt do të hapë shumë mundësi të reja për qytetarët tanë”, ka thënë shefi i diplomacisë kosovare.

Nga ana e tij, ish-kryeministri i Suedisë, Carl Bildt, ka shprehur gatishmërinë e tij personale dhe atë nga institucioni që bashkëdrejton për bashkëpunim dhe përkrahje në çështjet, që do të mund të konsideroheshin me interes të dyanshëm.