Pacolli: Kosova nuk mund ta refuzojë kërkesën e Amerikës për taksën

16.01.2019 18:22:18

Pas kërkesave nga Uashingtoni për heqjen e taksës, zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, thotë se kryeministri Haradinaj nuk do të punojë kundër interesave të Amerikës.

Në një intervistë për televizionin publik, Pacolli ka thënë dje se vendimi për taksën duhet të analizohet mirë, sidomos pas kërkesave nga SHBA.

“Do të doja që në mënyrë të qetë dhe pa e ofenduar askënd, dhe pa shkuar kundër interesave edhe të miqve dhe rekomandimeve tanë, ta analizojmë mirë dhe të shikojmë. Unë nuk besoj që kryeministri Haradinaj do të bënte një veprim që shkon kundër interesave të Amerikës. Ne do të bisedojmë pse kjo taksë është vendosur, dhe Serbia duhet të kushtëzohet”, ka thënë Pacolli.

Ai tutje është shprehur se ende ka shumë punë, për ta marrë njohjen nga Serbia.

Por që sipas Pacollit, qytetarët e Kosovës do të duhej që vullnetarisht t’i bojkotojnë produktet serbe.

“E di që Haradinaj ka thënë se kur të ketë njohje nga Serbia, atëherë do ta heqim taksën. Deri te njohja duhet shumë punë, dhe kemi ardhur në një moment që Serbia e kushtëzon vazhdimin e dialogut me taksën. Do të doja që qytetarët të ishin ata që nuk i blejnë prodhimet serbe, mirëpo qeveria e ka marrë përsipër një punë të mundimshme dhe patate të nxehtë”, deklaroi Behgjet Pacolli.

Ndryshe, përkundër kërkesave nga Amerika, Haradinaj është zotuar se taksa nuk do të hiqet pa pasur garanci për njohje nga Serbia.