Pacolli, me avion privat në Podgoricë

26.09.2017 20:42:07

Avionin nuk e lë të pushojë gjatë. Këtë të martë, Behgjet Pacolli i angazhoi pilotët e tij që të bëhen gati edhe për një udhëtim.

Por, ky ishte një udhëtim më i shkurtër se të zakonshmit.

Nga ajri, zëvendëskryeministri kosovar kaloi kufirin me Malin e Zi, për të shkuar në vizitë zyrtare në Podgoricë.

Pikërisht në kryeqytetin e vendit fqinj, tema kryesore ishte marrëveshja e demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës e Malit të Zi.

Por, Mali i Zi nuk e ka ndërmend të pranojë një rinegociim të Marrëveshjes së Demarkacionit me Kosovën.

Ky qëndrim iu rikonfirmua sot zëvendëskryeministrit kosovar, Behgjet Pacolli, nga të gjithë nikoqirët që e pritën në Podgoricë.