Pacolli nuk sheh mundësi qeverisje me partitë në pushtet

03.11.2016 11:18:16

Lideri i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka thënë se nuk do të bëjë assesi koalicion me LDK-në e PDK-në.

“Me dy partitë në pushtet, PDK-në dhe LDK-në, nuk shoh asnjë lloj mundësie për bashkëqeverisje. Unë nuk e tradhtoj qytetarin e Kosovës ngase bashkë me qytetarët i konsideroj të dyja këto parti si përgjegjëset kryesore të humbjes së shpresës dhe rrënimit ekonomik”, ka deklaruar Pacolli në një prononcim për “Zërin”.

Ai ka vlerësuar se zgjedhjet çojnë deri te zgjidhja e situatës aktuale.

“Zgjedhjet e parakohshme janë zgjidhja më e mirë e kësaj situate të rëndë. Varfëria është në rritje, ndërsa Qeveria nuk është duke e bërë asnjë veprim që shkon në drejtim të përmirësimit të gjendjes”, ka shtuar ai.

Pacolli gjatë bisedës për “Zërin” ka thënë se pret që partia e tij t’i fitojë 20 për qind të votave.

“Me këtë rritje të vazhdueshme unë pres realisht që AKR-ja ta kalojë shifrën e 20-përqindëshit në zgjedhjet e ardhshme”, ka shtuar ai.