Pacolli: Pallatit të Rinisë do t’i ofrohen dispozita për funksionim sa më të suksesshëm

04.04.2019 17:22:02

Në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit, Oda e Afarizmit ka zhvilluar sot një takim me drejtues të Komunës së Prishtinës, në të cilën është biseduar për evitimin e problemeve me të cilat po përballen bizneset.

Në këtë takim, ku morën pjesë edhe 9 biznese të sektorëve të ndryshëm, kryetari i Bordit të OAK Skender Krasniqi tha se kanë identifikuar disa probleme që kanë bizneset me Komunën e Prishtinës, të cilat përfshijnë mungesën e zonës industriale funksionale, mungesën e ofertave nga ana e Komunës për bizneset, problemet me Pallatin e Rinisë, sigurinë dhe vendosjen e kamerave të sigurisë në qytet.

Njëri ndër anëtarët e bizneseve të OAK-së, Shkëlzen Domi njëherësh përfaqësues i Pallatit të Rinisë, diskutoi rreth problemeve të shumta që kanë bizneset në Pallat, por çështja më e rëndësishme dhe jo korrekte është afati i shkurtër i kontratave që kufizon komuna.

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli afatin e shkurtër të kontratave që ofron komuna e ka arsyetuar me faktin se nuk kanë pasur mundësi ligjore për kohëzgjatje të tyre më shumë se 6 muaj.

Ai theksoi se nga muaji maj do të fillojnë trajtimin e kësaj çështjeje dhe se Pallatit të Rinisë do t’i ofrohen dispozitat më të mira për funksionim sa më të suksesshëm.

Gjatë këtij takimi bizneset “Flux”, “Marimanga”, dhe “Telkos” shprehën problemet e tyre individuale me të cilat po përballen në raport me komunën.

Ndërsa pronari i biznesit “LTS Kosova”, Ekrem Qerreti theksoi si problem mungesën e Parkut Industrial duke e parë si urgjente funksionalizimin e zonës industriale, duke e marrë parasysh se si biznes kanë nevojë për hapësirë për të krijuar vende të reja të punës.

Në fund të takimit, nënkryetari Pacolli u shpreh i hapur për takime të ardhshme me bizneset për të diskutuar rreth problemeve të tyre dhe u zotua se do të mbajë takime të rregullta me OAK.