Pacolli propozon themelimin e Akademisë Politike “Ibrahim Rugova”

21.01.2019 17:51:42

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli ka kujtuar presidentin historik Ibrahim Rugova, në 13 vjetorin e vdekjes së tij.

Pacolli përmes një postimi në Facebook, ka propozuar themelimin e Akademisë Politike “Ibrahim Rugova”.

Postimi i plotë:

Sot bëhen 13 vjet nga ndarja jonë me Presidentin Historik, Dr. Ibrahim Rugova. Presidenti Rugova, figura dhe kontributi i tij, mbesin reflektim unik i kulturës dhe orientimit demokratik e perendimor i qytetarëve të Republikës së Kosovës, përderisa urtësia, maturia dhe mençuria e tij prej lideri të përmasave globale, admirohen në të katër anët e botës.

Filozofia dhe platforma e Presidentit Historik Rugova, ishte refleksioni më i mirë i sakrificës dhe aspiratave i gjeneratave në këto hapësira, ato po ashtu ishin një manifesto e përmasave universale, e cila shtynte në lëvizje edhe vendimmarrësit dhe vendet më inidferente ndaj çështjes sonë, e tē mos flasim për ato që ishin rreshtuar drejt në krahun tonë. Në respekt dhe lartësim të figurës së Presidentit Historik, ne kemi për obligim që t’i qëndrojmë besnik postulateve të tij, veçanarisht punës, durimit, tolerancës, mirëbesimit, shpresës, gjithmonë në rrugëtim me aleatë, miq, e partnerë.

Vende të përparuara demokratike, kanë krijuar qendra të edukimit politik për të rinjtë, dhe unë vazhdoj të bësoj se ne duhet ta themelojmë dhe institucionalizojmë një Qender të Edukimit Politik, e cila do të quhej “Akademia Politike, Ibrahim Rugova”, në fakt e propozojë ta themelojmë sa më shpejtë!