Pacolli: Sefaj ishte viktima më e lehtë për rastin e “gylenistëve”

06.04.2018 23:09:40

Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëkohësisht edhe ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, tha se ish-ministri Flamur Sefaj nuk ka pasur asnjë përgjegjësi për deportimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova.

Sipas tij, Sefaj ka kryer punën siç përshkruhet në përshkimin e obligimeve ndaj shtetit dhe të drejtave të tij.

“Ai i ka besuar institucionit. AKI-ja është një institucion, drejtori i AKI-së është këshilltari më i afërt për siguri i presidentit edhe i kryeministrit, dhe ashtu siç ligji dhe kushtetuta e donë, AKI-ja është dashur këto punë t’i diskutojë me presidentin dhe me kryeministrin. Ata është dashur ta dinë deri ku mund të shkohet me përhapjen e kësaj informate se kush duhet ta dijë për këtë e kush nuk duhet ta dijë. Nuk është fare punë e tjetërkujt”, tha zëvendëskryeministri në emisionin Argument Plus të RTV21.

Pacolli sqaroi se Sefaj ka kërkuar nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë se a ka vepruar sipas ligjit për t’i informuar krerët e shtetit, dhe ka marr përgjigjen se po janë informuar. Zëvendëskryeministri tha se Sefaj ishte viktima më e lehtë për ta viktimizuar për këtë çështje.