Pafytyrësia e Arben Gashit për marrëveshjen e Arban Abrashit me PDK-në

23.11.2017 13:36:33

Nga Rexhep Kastrati

Nuk do të merrja mundimin që të reagoja ndaj një hiçi politik që gjithë afirmin e tij e ka jo për aftësi politike, jo për kontribut për LDK-në, por pikërisht me angazhime kundër LDK-së dhe Qeverisë së drejtuar nga kryeministri Mustafa dhe nga medietizimi i bërë nga medie dhe portale kundër LDK-së.

Arben Gashi në RTK pranon se ka marrëveshje për përkrahje të Arban Abrashit nga ana e PDK-së, por nuk ka koalicion me të për Prishtinën.

Në fakt unë dhe mbështetësit e LDK-së kemi pritur se vetë Arbani, apo dikush nga Shtabi i tij të sqaronte se për çfarë marrëveshje bëhet fjalë dhe pse kjo marrëveshje është mbajtur e fshehtë.

Vazhdimi i heshtjes nga ana e Arbanit lidhur me këtë marrëveshje është shqetësuese, sepse lë për të dyshuar për marrëveshje joparimore dhe me prapavijë të dëmshme.

Dhe në vend të Arbanit, del pikërisht Arbeni, një ndër kundërshtarët më të zëshëm të marrëveshjes transparente që LDK ka bërë me PDK-në për qeverisje e ku drejtimin e Qeverisë e kishte LDK, i cili me emocione po e shqyen gurmazin duke e mbrojtur marrëveshjen e Arbanit me PDK-në.

Ta mbrosh një marrëveshje të fshehtë ndërmjet Arbanit dhe PDK-së ndërkohë që ke kundërshtuar një marrëveshje të hapur dhe shumë të mirë për LDK-në është pafytyrësi, është dëshmi se nuk je kundër marrëveshjeve me PDK-në, por je kundër që LDK të ketë pushtetin qendror.

Një aspekt tjetër që duhet të përmendur është ai që ka të bëjë me faktin se Arben Gashi ka qenë pjesë e pushtetit komunal kur Isa Mustafa ishte kryetar i Prishtinës, pushtet që kaloi në duart e VV-së pikërisht falë një marrëveshje që VV pati me PDK-në.

Diç dihet, Shpend Ahmeti e ka përmbys rezultatin në Prishtinë falë mbështetjes së PDK-së, dhe kjo ishte përmendur vazhdimisht, duke e përdorë si argument të bashkëpunimit VV – PDK.

Dhe tash kur ka ndodh e njëjta me Arban Abrashin dhe me PDK-në, del dikush që është goditur nga marrëveshja për mbështetje të Shpend Ahmetit nga ana e PDK-së dhe e mbron një marrëveshje në bazë të të cilës PDK mbështet Arbanin kundër Shpendit.

Gjithsesi kjo çështje nuk mbyllet me kaq pavarësisht nga rezultati përfundimtar në Prishtinë, por ajo që shpërfaq Arbeni është mungesë e plotë e moralitetit politik dhe e koherencës politike që po e shquan realitetin socio-politik në Kosovë.