Pajaziti mohon se punësoi në borde njerëz të partisë

05.10.2016 14:00:27

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Zenun Pajaziti ka shprehur se bordi i ndërmarrjes së ujësjellësit rajonal të Gjilanit në vitin 2011 ka qenë një bord i dështuar. Sipas tij në përgjimet e sotme me Adem Grabovcin nuk ka arsye që e inkriminojnë.
“Më vjen mirë që prokuroria interesohet për përgjimet e mija dhe të Grabovcit. Por te përgjimet e sotme bordi në fjalë ka dështuar. Besoj se nuk ka arsye edhe për deklaratë shtesë në lidhje me këtë” tha Pajaziti për Express.

Ai theksoi përsëri se nuk kishte dijeni për këto përgjime dhe hetime të prokurorisë dhe shtoi më tej se beson se nuk do të jetë e nevojshme për të shkuar më tej se nuk është i inkriminuar.

Sipas portalit Insajder përzgjedhja e anëtarëve të Bordit të ndërmarrjes së ujësjellësit rajonal të Gjilanit, “Hidromorava” në 6 dhjetor të vitit 2011 ishte bërë me anë të telefonit. Ish-shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ia lexonte emrat e kandidatëve, shefit aktual të Grupit Parlamentar, Zenun Pajaziti.

Prokuroria Speciale njoftoi dje se zgjeroi hetimet kundër, Zenun Pajazitit, ish-ministrit të Ekonomisë – Besim Beqaj, ish-sekretarit të Ministrisë së Punëve të Brendshme – Ilhami Gashi, kryetarit të Degës së PDK-së në Prizren – Njazi Kryeziun, ish-zëvendësministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale – Fatmir Shurdhaj, ish-këshilltarit të ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi – Sedat Gashi dhe ish-shefes së Divizionit Farmaceotik në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti.