Palestina, Bushati: Shqipëria, të njëjtin qëndrim që kishte në OKB

14.12.2017 16:19:55

Ditmir Bushati ka sqaruar në seancën kuvendore pozicionin e shtetit shqiptar për Palestinën. Bushati tha se Shqipëria ka të njëjtin qëndrim që kishte në OKB.

“Së pari, anëtarësia jonë në konferencën islamike që tani është Organizatë e Bashkëpunimit Islamik daton në vitin 1992. Unë kam qenë gjimnazist dhe ju keni qenë në qeveri. Historia është shumë interesante. Nëse dëshironi mund të bëjmë edhe një seancë për këtë çështje. Shqipërinë në këtë konferencë e ka anëtarësuar zoti Berisha. Niveli ynë i përfaqësimit tradicionalisht ka qenë jo politik. Ftesat kanë qenë për Presidentin dhe Ministrin e Jashtëm, por niveli ynë i përfaqësimit dihet.

Nëse i referoheni vitit 1967, mund t’ju them se ka 4 rezoluta detyruese të Këshillit të Sigurimit. Mbi bazën e Kartës së OKB-së, Këshilli i Sigurimit ka rezoluta detyruese. Ky është qëndrimi i Bashkimit Evropian. Ky ka qenë tradicionalisht qëndrimi i Shqipërisë. Persona të ndryshëm më kanë pyetur përse nuk jemi shprehur. Por unë mund t’ju them që kjo qeveri nuk vuan nga gjigandomania që për çfarëdo lloj gjëje që shfaqet, qeveria të dalë me një qëndrim, duke pasur parasysh se qëndrimi i qeverisë shqiptare në këtë rast është ai qëndrim i pandryshuar ndër vite, i reflektuar tek vota jonë në OKB, në linjë me qëndrimin e Bashkimit Evropian. Ka 4 rezoluta zoti Shehu. Po shtoj edhe diçka tjetër meqenëse i referoheni Ambasadorit tonë dhe pjesëmarrjes së tij në konferencë. Kjo është detyra e Ambasadorit. Në përputhje me Konventën e Vjenës, Presidenti, Kryeministri, Ministri i Jashtëm dhe ambasadori kanë plotfuqishmëri. Kjo është edhe arsyeja përse ai quhet i plotfuqishëm. Nuk do të vijë asnjëherë në Komision Ambasadori për të marrë mendim për këtë çështje.

Dhe, së fundi, po e përsëris sërish se nuk ka një qëndrim të ri nga ana e Shqipërisë. E kemi bërë këtë diskutim edhe për Palestinën në OKB me shumë prej jush. Është i njëjti qëndrim që Shqipëria ka mbajtur në OKB, në lidhje me 4 rezoluta të Këshillit të Sigurimit, rezoluta detyruese që i referohen 1967-s, në përputhje me linjëzimin tonë të politikës së jashtme 100% me atë të Bashkimit Evropian.

E përsëris edhe një herë, thjesht për informacionin tuaj dhe kërshëri shkencore: në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik nuk votohet”, tha Bushati.