Pallaska: Përgjegjësisë nuk i shpëtohet me fshehje në debate odash

02.08.2016 23:47:53

Debati mbi demarkacionin është duke u pritur me interesim të madh nga opinioni dhe intelektualë të ndryshëm.

Kjo për faktin se nesër do të përballen ata që vendosën për demarkacionin e që thonë se kanë të drejtë dhe ata që e kundërshtojnë demarkacionin dhe thonë se ë vërteta është në  anën e tyre.

Një ditë para këtij debati, edhe juristë të njohur si avokati Dastid Pallaska, vazhdojnë të thërrasin se përgjegjësinë duhet bartur të gjithë ata që janë të ngarkuar për raste të tilla.

“Për demarkacionin nuk kam çka të them e që nuk është thënë deri më tani”, shkruan pallaska në llogarinë e tij në facebook.

“Dy palët i kanë shpalosur qëndrimet e tyre, dhe atë disa herë. Ata që kanë dashur të dëgjojnë, kanë mundësi të marrin vendim të informuar, d.m.th pa përjashtimin e zakonshëm të përgjegjësisë se nuk kanë ditur çka po ndodhë në momentin e vendimit”.

“Tash është koha për vendim. E vendimi për këtë çështje duhet të jetë në formën e votës në Kuvend”, deklaron avokati i njohur kosovar.

“Ata që votojnë duhet të mbajnë në mend se secili vendim politik mbart përgjegjësi politike e ndonjëherë edhe juridike, siç mund të jetë rasti me demarkacionin”.

“Përgjegjësisë nuk mund t’i shpëtojnë duke u fshehur në debate odash jashtë procedurave ligjore të vendim-marrjes”, vëren ai duke lënë të nënkuptohet se Kuvendi është vendi i duhur e jo sallat alternative si debati i nesërm ku përveç diskutimeve nuk do të ketë ndonjë vendim ligjor.

“Vetëm pesha e përgjegjësisë së plotë politike dhe juridike do të ndërgjegjësojë deputetët për të votuar sipas bindjes së tyre”, shkruan avokati  Dastid Pallaska.