Paloka: S’ka zgjedhje pa PD. Rama s’mund të emërojë opozitën

06.03.2017 16:39:07

Nga çadra e protestës, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka deklaroi se nuk mund të ketë zgjedhje në Shqipëri pa PD-në.

“Të votojmë të lirë dhe këtë do të arrijmë. Nuk ka kthim mbrapa. Më 18 qershor ta harrojë ai dhe kushdo që mendon si ai se do të ketë zgjedhe në këtë vend pa PD, pa opozitën. Ai ëndërron që edhe opzitën ta emërojë vetë. Ai thotë ishalla PD nuk merr pjesë në zgjedhje, që edhe opozitën ta emëroje vetë”, tha Ploka.

Por, sipas tij, kryeministri nuk mund të emërojë opozitën. “Do të emërojë Bamirin ose kë mund të mendojë ai si opozitë. Ta harrojë. Sepse do të ikë nga sytë këmbët”, tha Paloka.

Ai i bëri thirrje kreut të qeverisë që “ta ngulisë në kokë” se, nuk ka zgjedhje në Shqipëri nëse Parlamenti nuk e vendos.

“Më 18 qershor atij zotërisë i mbaron mandati dhe pas 18 qershorit le ta marrë guximin dhe të hyjë prapë në zyrë pa mandat. Atëherë do të shohë se ç’do të ndodhë. Nuk mund të rrijë më asnjë ditë, asnjë orë në zyrë pa mandat. Dhe më 18 qershor atij i mbaron mandati. Bën mirë ta kuptojë sa më shpejt këtë”, theksoi Paloka.

Ai shtoi se, PD as nuk kërcënon, as nuk bën presion, as nuk ka ndërmend ta realizojë me dhunë ëndrrën e shqiptarëve, por kryeministri duhet ta dijë mirë se kjo qëndresë ka vetëm një fund.

“Ne jemi të vendosur të qëndrojmë dhe rezultati i kësaj qëndrese është vetëm një: vota e lirë dhe fitorja për shqiptarët”, shtoi Paloka.