Pamje të bëra nga bjeshkatari Arben Islami: Këto janë territoret që po mbeten në Mal të Zi (Video)

10.08.2016 14:25:39

I pasionuari i rrugëtimit nëpër bjeshkë – Hikingnjeri, gjegjësisht njeriu që është i njohur për aktivitete të tilla në Kosovë, Arben Islami, ka publikuar disa video, në të cilat thotë se janë disa nga territoret në kufi me Malin e Zi, gjegjësisht disa prej të cilave në bazë të marrëveshjes për Demarkacionin do të mbesin në Mal të Zi.

Siç ka thënë ai, përcjell Telegrafi, gjatë tri ditëve të javës së kaluar, prej të mërkurës deri të premten, së bashku me një koleg të tij kanë bërë ecjen nëpër disa bjeshkë, në kufirin me Malin e Zi.

Sipas Islamit, gjatë këtij rrugëtimi, ka pasur rastin edhe të fotografonte dhe regjistronte pamje nga Bjeshka e Liqenatit dhe Maja e Plakut, një pjesë e territorit që sipas tij po mbetet në Mal të Zi.

Dhe siç ka thënë Islami, edhe bjeshkatarët e ndiejnë veten emocionalisht të prekur nga kjo situatë sepse sipas tij, janë ata që prekin fizikisht ato.

Ja çfarë shkruan ai në Facebook:

Gjatë 3 ditëve (Mërkure – Premte) kalova një kohë perfekte në hiking me kolegun tim Adnanin.

Filluam ecjen nga fshati Kuçishtë në Rugovë, nëpër bjeshkën e Liqenatit, Roshkodol, Majën e Plakut në Mal të Zi (që duhet të jetë kufiri jonë), majën e Marijashit, bjeshkën e Belegut, majën e Rupës etj, në Deçan.

Gjatë dy ditëve te para pata rastin edhe të fotografoj dhe inqizoj nga bjeshka e Liqenatit dhe Maja e Plakut një pjesë të territorit që po mbetet në Mal të Zi. Shikoni videot me pamje të pjesës së Jelenkut, bërë nga Maja e Plakut 2352m (thellë në territorin e Malit te Zi) që Kosova mund ta humbë. Gjithashtu, shiqoni edhe disa video nga, dhe brenda Liqenatit.

Ne bjeshkatarët e ndijmë vetën emocionalisht të prekur nga kjo situatë sepse jemi ne ata që i prekim fizikisht ato.(sic)