PAN dhe VV bashkë ishin edhe sot

03.08.2017 13:29:53

Nga Rexhep Kastrati

Seanca e sotme konstituive e Kuvendit të Kosovës pa arritur që të përmbyllë konstituimin e saj. Unë nuk di si do ta interpretojnë juristët këtë situatë të krijuar, por vërtet, ato që po thuhen se Adem Mikullovci i ndihmoi PAN-it, janë plotësisht të vërteta. Është kështu për faktin se duke mbyllur seancën, e jo që të ndërpritet për dy orë, i ka dhënë PAN-it më shumë se dy orë kohë për të bërë pazare dhe shantazhe. Përveç kësaj, mbyllja e seancës konstituive nga ana e Adem Mikullovcit ishte në frymën e vetë PAN-it për të mos u mbajtur kjo seancë që u vërejt me bojkotimin e fillimit të procedurave fillestare të konstituimit të Kuvendit, siç është krijimi i Komisionit për mandatet e deputetëve dhe zgjedhja në krye të tij, i Armend Zemajt nga LDK. Pse PAN lejoi që ky Komision të bëhej pa të dhe pse të drejtën për drejtimin e këtij Komisioni ia la LDK-së,  e nuk e mori vetë? vetëm kur i kryen këto procedura, PAN u fut në Kuvend, duke kërkuar shtyrjen për dy orë, e që ishte një kërkesë rutinë. Dhe në vend se të votohej pro, Adem Mikullovci orientoi kuvendarët të votonin kundër, duke i mundësuar PAN-it jo dy orë, por kohë të pakufizuar, pasi që nuk ka afat se kur mund  të thirret seanca tjetër, madje as kush mund ta thërret atë. Në këtë mënyrë, Adem Mikullovci ka lënë tashmë në vullnetin e PAN-it se kur do të mblidhet Kuvendi në seancë të re. Kur t’i shtohet këtyre edhe fakti se Albulena Haxhiu edhe sot konfirmoi ato që VV i ka thënë më herët se do të votonte ndonjë kandidat të PAN-it për kryetar Kuvendi.