Panik në Greqi, koronavirusi futet në kampin e emigrantëve

05.04.2020 13:11:31

Greqia ka futur në karantinë kampin e dytë me emigrantë, pasi një 53-vjeçar ka dalë pozitiv në testin për koronavirus, njoftoi Ministria për Migracion e këtij shteti ditën e diele. Burri afgan, i cili është infektuar, jeton me famijen e tij dhe qindra azilkërkues tjerë në kampin Malakasa.

Ai më pas është transferuar në spitalin e Athinës. Testet e personave me të cilët ai ka qenë në kontakt do të vazhdojnë ndërkohë që Agjencia për Shëndetin Publik po tenton të parandalojë përhapjen e virusit. Të enjten, autoritetet kanë vënë në karantinë edhe kampin Ritsona në qendër të Greqisë, pasi 20 persona rezultuan pozitivë në testet për koronavirus. Greqia ka regjistruar rastin e parë me këtë virus në fund të muajit shkurt.Prej atëherë, ky shtet ka raportuar për 1,673 persona të infektuar dhe 68 të vdekur si pasojë e sëmundjes.

Autoritetet greke kanë vendosur ndalim të udhëtimit për të gjitha vendet jo anëtare të Bashkimit Evropian, por edhe për Gjermaninë, Britaninë, Italinë dhe Spanjën. Këto masa pritet të kenë ndikim të madh në ekonomi, e cila momentalisht varet nga turizmi, për ta tejkaluar krizën e dekadës me borxhe të thella.