Papa emëron Imzot George Frendo-n kryeipeshkëv të ri të Tiranës e Durrësit

17.11.2016 12:54:44

Papa Françesku ka shpallur arqipeshkv të Dioqezës së Tiranës dhe Durrësit Imzot George Frendon.

Emërimi i tij ka ardhur pas vendit të lënë bosh nga vdekja e Imzot Rrok Mirditës.  Imzot Frendo, rregulltar domenikan e teolog, nga Malta, prej shumë vitesh jeton e vepron në Shqipëri. Ka njohur nga afër jetën, veprimtarinë e misionin e Kishës katolike dioqezane të Tiranë-Durrësit, duke ofruar një kontribut të rëndësishëm me detyra dhe përgjegjësi të veçanta që ka zhvilluar nga fillimi, si rregulltar domenikan  në Durrës, pastaj si Vikar i Përgjithshëm i kryedioqezës Tiranë-Durrës, më vonë si ipeshkëv ndihmës, administrator dioqezan e tani fillon një periudhë të re si kryebari i kësaj Kishe vendore.

Kryeipeshkvi ri i Tiranë-Durrësit, imzot Frendo, gjen një Kishës vendore dioqezanë mirë të organizuar, me një fizionomi të plotë, që filloi të ndërtohej nga viti 1992-1993, mbi rrënojat e regjimit komunist e dalëngadalë, nën udhëheqjen e falë punës ungjillëzuese të kryeipeshkvit të parë pas rënies së diktaturës, imzot Rrok Mirditës dhe të klerit vendor e misionar, të rregulltarëve e rregulltareve,  mori fizionominë e plotë, u rigjallërua për të vijuar me misionin e përjetshëm të kumtimit të Lajmit të Mirë  të gjithë njerëzve vullnet mirë, e sipas binomit të klerit shqiptar për Fé e Atdhé.

Përurimi apo fillimi i misionit si kryeipeshkëv i imzot George Fredo-s do të mbahet të shtunën më 3 dhjetor në Kishën Katedrale të shën Palit në Tiranë. Një ditë më parë, të premten më 2 dhjetor, në orën 12.30 kryeipeshkvi ri ka programuar organizimin e  një dreke për disa të varfër në dioqezën e Tiranë-Durrësit. Po atë ditë, në çdo Kishë të kryedioqezane, kërkon ipeshkvi ri imzot Frendo, le të organizohet një gjysmë ore lutjeje për kryeipeshkvin e ri e për kryedioqezën Tiranë-Durrës.