Papa: Kjo është luftë, por jo luftë fetare

28.07.2016 09:31:23

Ajo që po ndodh në botë nuk është luftë fetare, pasi të gjitha besimet duan paqen dhe jo luftën. Ky ishte mesazhi i Papa Françeskut për gazetarët gjatë udhëtimit për në Krakov të Polonisë, ku do të marrë pjesë në aktivitetet në kuadër të Ditës Botërore të Rinisë. “Kur flas për luftë, e kam fjalën për luftë të vërtetë dhe jo luftë besimesh. Nuk ka luftë besimesh, ka luftë interesash për pasuri, për resurse natyrore, për sundimin e popujve. Por të gjitha besimet fetare duan të njëjtën gjë: paqen”.

Papa Françesku e ka përmendur shpesh termin “luftë botërore”. Por ai thekson se nuk duhen ngatërruar aktet terroriste me idenë e një lufte në emër të Zotit. Pas sulmeve të ditëve të fundit në Gjermani dhe Francë, Papa është shprehur: Kemi nevojë të themi të vërtetën e madhe, bota është në luftë sepse ka humbur paqen.