Para liberalizimit të vizave, numër i vogël i kosovarëve ilegal mbesin në BE

06.04.2018 22:17:48

Prej rreth 40 mijë kosovarëve që emigruan ilegalisht në shtetet e BE-së në periudhën 2012-2016, konsiderohet se tani një numër mjaft i vogël i tyre kanë mbetur në këto vende pas kërkesës për azil.

Në një përgjigje për Indeksonline nga Ministria e Punëve të Brendshme duke bazuar në shifrat zyrtare të Eurostat, në shtetet e Bashkimit Evropian në vitin 2016 gjithsej kanë qenë 11 mijë e 755 azilkërkues dhe azilkërkues për herë të parë me shtetësi kosovare.

Ndërkaq edhe nga enti i statistikave të Kosovës, për periudhën 2012-2016 bëhet e ditur se Kosova vazhdon të ketë shkallë të lartë të emigrimit me një mesatare vjetore prej 34,145 persona.

Në total për periudhën 2012-2016, vlerësohet se nga Kosova kanë migruar 122.657 persona. Në këtë numër përfshihen emigrimet legale por edhe ato ilegale që për destinacion kanë vendet e BE-së.

Migrimi i parregullt ishte një fenomen më të cilin Kosova u përball në masë të madhe gjatë fundit të vitit 2014 dhe fillim vitit të 2015. Shifrat e ikjeve ishin shumë të larta, ndonëse askush nuk ishte në gjendje të thoshte numrin e saktë në atë periudhë. Kjo valë e ikjeve detyroi autoritetet në Hungari, Serbi, Austri dhe Gjermani, që të forcojnë kontrollet e kufirit.

Që nga viti 2014 e deri në muajin shkurt 2017, me forcë ose në mënyrë vullnetare janë kthyer mbi 39 mijë kosovarë që kishin imigruar në mënyrë ilegale.

Vala e parë e dëbimit më forcë të kosovarëve me qëndrim ilegal nga shtetet e BE-së, ishte në vitin 2014, ku u riatdhesuan 4610 persona.

Ndërkaq në vitin 2015 në vend u kthyen 18 732 persona me qëndrim ilegal në BE.

Kjo valë e kthimit ose dëbimit të kosovarëve ka vazhduar edhe gjatë vitit 2016, ku janë rikthyer 13 024 persona.

Shifër afërsisht e njëjtë ka qene edhe gjatë vitit 2017, ku vetëm në dy muajt e parë janë kthyer 3069 kosovarë të gjithë këta me qëndrim ilegal, shkruan Indeksonline.

Gjermania ishte shteti që më së shumti kishte pranuar kosovarë ose vendi që kryesisht kosovarët ia kishin mesyer.

Sipas raportit të MPB-së “Profili i migrimit 2016”, ku paraqitet një analizë e migrimit dhe trendët e politikave të Kosovës që ndërlidhen me migrimin. Numri i shtetasve të Kosovës me leje qëndrim të vlefshëm në shtetet e BE-së dhe zonës Shengen në vitin 2016 ishte 21,141.

Sipas të dhënave të agjencisë evropiane të statistikave, EUROSTAT, numri më i madh i kosovarëve që kanë marrë leje qëndrimi, vazhdon të jetë i koncentruar më së shumti në Gjermani me 47 për qind të numrit të përgjithshëm të personave me leje qëndrimi. Në vendin e dytë renditet Italia me 12 për qind e pasuar nga Franca me 9 për qind, Austria 9 për qind dhe Sllovenia me 7 për qind. Arsyet e marrjes së lejes së qëndrimit të shtetasve kosovarë në shtetet anëtare të BE-së dhe zonës Shengen janë, bashkimi familjar, punësimi dhe dukimi.