Paraburgimi gjashtëvjeçar i të akuzuarit për vrasje

24.09.2016 11:21:02

Një i akuzuar për vrasje po mbahet në paraburgim që nga viti 2010. Përparim Rexhepi, i akuzuari për vrasjen e Fitim Gashit në Prishtinë në vitin 2010 po mbahet në paraburgim që gjashtë vjet.

Paraburgimi i gjatë Rexhepit po i ndodh për shkak të ndërrimit të përbërjeve të trupave gjykues.

Një përbërje e tillë u ndryshua edhe të premten kur u desh që gjykimi të nisë nga fillimi.

Trupi gjykues i udhëhequr nga gjyqtarja Valbona Selimaj kërkoi nga prokurorja e rastit që të lexohet edhe një herë aktakuza me të cilën ngarkohet Perparim  Rexhepi.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurores Fitore Sadikaj, i akuzuari deklaroi se nuk e pranon fajësinë dhe nuk është kryes i veprës penale për te cilën akuzohet nga ana e prokurorisë.

Pastaj kur i erdhi radha paraqitjes së fjalës hyrëse, prokurorja, avokati i të akuzuarit dhe vetë i akuzuari nuk shtuan ndonjë gjë të re, duke u mbetur besnikë atyre që i kishin thënë gjatë fjalës hyrëse të paraqitur më herët gjatë gjykimit.

Ata u arsyetuan se nuk ka ndonjë provë apo rrethanë të re që do të ndikonte në ndryshimin e fjalëve hyrëse të paraqitura më herët.

Pastaj seanca u ndërpre për arsye se në të nuk ishin e pranishëm përfaqësuesja e palës së dëmtuar, nëna e të ndjerit dhe dëshmitarët e paraparë.

Vrasja e Fitim Gashit ndodhi më 29 nëntor 2010 në Prishtinë, para lokalit të mbajtur nga i akuzuari për këtë vrasje Përparim Rexhepi.

Rexhepi, përveç për vrasje të Gashit, akuzohet edhe për mbajtje në pronësi, në kontroll, në posedim ose në shfrytëzim të paautorizuar të armëve, ndërsa po mbahet në paraburgim që nga viti 2010.

Të akuzuar në këtë rast ishin edhe Avdi, Agron e Fejzullah Gashi.

Ata ngarkoheshin se kanë kryer veprën penale pjesëmarrje në rrahje, ndërsa Avdi dhe Agron Gashi akuzoheshin edhe për mbajtje në pronësi, kontroll, posedim ose në shfrytëzim të paautorizuar të armëve, mirëpo vepra penale pjesëmarrje në rrahje për ta është vjetërsuar.

Nga vepra tjetër mbajtje në pronësi, kontroll, posedim ose në shfrytëzim të paautorizuar të armëve ata janë liruar, ngase këtë vepër e ka përfshirë ligji për amnisti.

Ligji për Amnisti që hyri në fuqi në shtator të vitit 2013 i amnistoi të gjithë ata që kanë kryer krime për një numër të madh veprash penale të shkaktuara deri më 20 qershor 2013.

Sipas aktakuzës, në nëntorin e vitit 2010 tash i ndjeri Fitim Gashi së bashku me të akuzuarit Avdi Gashi, Agron Gashi dhe Fejzullah Gashi kishin shkuar në lokalin e të akuzuarit Përparim Rexhepi, ku ishin përleshur në mes vete duke u gjuajtur edhe me shishe të birrës.

Pas kësaj, i akuzuari Rexhepi kishte marrë lëndime trupore, ndërsa pasi që i ndjeri Fitim Gashi dhe të akuzuarit Avdi, Agron e Fejzullah Gashi kishin dalë nga lokali, Rexhepi e kishte marrë revolen dhe kishte shtënë në drejtim të tyre.