Parajsa ka fytyrën e brezit tim

Parajsa ka fytyrën e brezit tim

04.11.2016 12:39:45

Etleva Tafa është një emër i njohur në letërsinë shqipe. Ajo para pak ditësh promovoi ribotimin e librave të saj “Zemra e Akilit” dhe “E diela e luleve”.

Intervista e Etleva Tafës dhënë Radio Kosovës

Çfarë është për ju poezia?

Thonë se poezia zbut shpirtrat e njerëzve, e më pëlqen që vargu im të shërbejë për të qenë sa më në harmoni njerëzit me veten dhe të tjerët. Unë nuk mund t’i vë një përcaktor, ngase në poezi asgjë nuk është e planifikuar, ajo troket papritur dhe poezia për mua është një përmasë universale që prangon jo vetëm poetët por edhe grupe të caktuara njerëzish me profesione të ndryshme, që për punën e tyre janë pasionantë dhe krijues. Poezia të jep një mundësi për t’a ridimesionuar së brendshmi botën.

Çfarë është për ju proza?

Është një eldoradë e magjepsur që më josh dhe unë jam e pafuqishme të përball tundimin, sepse është një joshje që të pushton në çdo pjesë të mishit dhe gjakut, ngase në prozë shpreh mjaft lirshëm emocionet që më vijnë nga çdo rrethanë. E ndiej si një vuajtje të brendshme, të ëmbël e ngazëlluese që më plotëson me dimensione të reja shpirtërore. Prozën e dua shumë aq sa edhe poezinë, pasi në tregimet e mia gjen ritmin e fjalës poetike. Proza ime është e shkurtër por që kuptohet e mbetet si hije poetike gjatë në memorie.

Poezia e proza sot lexohen pak, ndërkohë që ju vazhdoni të shkruani?  Çfarë mendoni a janë në krizë?

Dikur thoshte poeti ynë Agim Vinca, kemi pasur mjaft lexues e shkrimtarë më pak, kurse tash ndodh e kundërta. Mendoj se poezia është në krizë si pasojë e mungesës së kritikës letrare. Në poezinë shqipe vitet e fundit mungon kritika letrare për të vlerësuar dhe për të nxjerrë në dritë cilësinë dhe mediokritetin. Mungesa e kritikës sjell çoroditje në perceptimin e poezisë më të mirë dhe ka probleme në krijimtari pasi shpeshherë vargu nuk përmban substancë. Nëpërmjet një mbindërtimi semantik polivalent strukturohen mesazhet e fshehta të nënvetëdijes poetike. Në mjaft poezi kuptohet një hiç kaotik.

Erdhët në Prishtinë për promovimin e dy librave tuaj të ribotuar, “Zemra e Akilit” dhe “ E diela e luleve”. Pse i ribotuat dhe pse zgjodhët Prishtinën?

Është vjeshtë e bukur në Prishtinë dhe gjithmonë më duket stinë librash, promovimesh,botimesh, takime mes artistëve. Në këtë stinë vjeshte që pemët shkulin nga trupi i tyre gjethet e bien, më ngjan si një libër që shfletohet faqe më faqe nga dashamirësit e fjalës, poetët, shkrimtarët, nga artistët e zhanreve të ndryshëm. Ribotimi erdhi si pasojë e përpirjes së leximit hahah….ah është një arsye që më ka shqetësuar, sepse botimi i librave të mëparshëm, pati disa defekte teknike nga ana e shtypshkronjës dhe duke pasur një përgjegjësi ndaj lexuesve dhe miqve duhet ti ribotoja dhe të shfaqesha me imazhin e bukur dhe estetik në brendësi dhe jashtë, të Evës tregimtare e poetike që më njohin ndër vite. Kosovën e dua shumë, kam një ndjeshmëri të zjarrtë ndaj Kosovës,është një tërheqje gjaku të cilën e gjej vetëm këtu. Ndoshta që kur mësova emrin Kosovë, dashuria ime mbeti për atë.

Një pjesë të krijimtarisë ia keni kushtuar Heroit të Kombit, Bekim Berisha- Abeja. Kush është Abeja në poezinë tënde?

Është e vërtetë, janë shumë poezi që ia kam dedikuar heroit tone legjendar Bekim Berisha – Abeja. Legjenda si Abeja, meritojnë shumë e më shumë sesa vargjet, por nëpërmjet fjalës jam munduar ta gdhend përjetësisht trimërinë dhe guximin e heroit Abeja që nuk kurseu as gjakun e tij për lirinë e Kosovës. Abeja në poezinë time është mit, është uragan, është vargu më I bukur I Lirisë, është vetë Pavarësia e Kosovës. Vdekja e tij heroike dhe pas vdekja që e end në përjetësi, e bëri atë më shumë se një hero, një mit, një simbol, një devizë ardhmërie për kombin tonë të ndarë padrejtësisht. Janë të panumërta episodet e atij shpirti të zjarrtë, që digjej për lirinë e Kosovës bashkëluftëtarët, miqtë, shokët nuk gjejnë dot fjalë për të përshkruar aktet e tij heroike. Bekim Berisha ishte një profet i lirisë, që do të na udhëheq gjithmonë, sidomos brezin më të ri, në rrugën e idealitetit të ëndrrës së kulluar kombëtare.

Është Abeja arsyeja që i keni botuar librat në Prishtinë”?Ju e keni njohur personalisht? Ç’mund të na thoni?

Kam dashur të bëj gjithmonë një promovim në Prishtinë, që poezia ime të zgjojë sado pak emocionet e komandantit të pamposhtur, heroit të kombit, Bekim Berisha që mbeti i vrarë në betejën e Junikut. Unë kam pasur fatin ta njoh personalisht. Isha ende studente, plot poezi dhe ëndrra rinore, kur takova Abenë, yllin e Kosovës sonë martire, që do të shndrijë në shekuj e mijëvjeçarësi meteor lirie, në konstelacionin e paqes dhe drejtësisë shoqërore. Me Bekim Berishën më njohu i ndjeri profesor Zekeria Cana, një nga studiuesit dhe ikonat e mendimit të lirë në Kosovë, ku krah tij qëndronte dhe bashkëluftëtari Afrim Shureci–Leopardi. Abeja dhe Leopardi, së bashku kishin qenë në luftën kroate, ku shqiptarët e Kosovës kishin dhënë një kontribut të denjë për të hyrë në analet më të ndritshme të kujtesës sonë kombëtare, por dhe të kujtesës së popullit fisnik kroat. Në Kroaci je Mit Bekim Berisha, në Kosovë e Shqipëri të kemi në zemër. Bekim Berisha mbetet heroi dhe legjenda e luftës. Krenohet me ty e gjithë bota ushtarake. Gjaku i tij shkroi me gërma të mëdha Lirinë e Kosovës. Bekim Berisha, Abeja, një komandant legjendar që në të gjallë të tij. Me respekt të veçantë për këtë trim, po rendis disa vargje poetike që nuk m’i shkroi dora por zemra:

Epitaf mbi varrin tënd

Abeja im i bukur

Nëse flamuri të ka mbuluar shtatin

Ti s’mund të kalbesh në këtë vend

Ku foshnjat lindin me uniformë.

Çfarë pret lexuesi nga ju, pas librave “Zemra e Akilit” dhe “ E diela e luleve”?

Unë përherë jam duke shkruar diçka. Gjithmonë të parën kam poezinë dhe sigurisht me një libër poetik do të vij. Por në këtë kohë dua të shijoj frutin e këtyre librave që po më japin një ndjesi të veçantë si dikur kur botova librin e parë. Me siguri rrjedha e pasionit tim krijues do të harpërojë dhe do të zhvillohet gjithnjë në binarë të traditës shqiptare.

Diçka për fund të kësaj bisede?

Unë gjithmonë vij ndryshe si në poezi ashtu edhe në tregim, sepse kështu kam ardhur qysh në fillimet e para të krijimtarisë sime. E guximshme përmes vargut. Në fillim ajo hetohet përmes trishtimit dhe për gjendjet emocionale që përcjell dhe që na krijon, mbase ky konceptim në përshtatje me fjalorin poetik e prozaik të marrëveshjes ngjan me një mendim disi metaforik që i afrohet konceptit estetik, që poezia e tregimi i mbart në vete çdo herë. Unë përpiqem të përfaqësoj denjësisht brezin tim dhe të them me bindje se Parajsa ka fytyrën e brezit tim!

Autor: Vera Pelaj