Paralajmërohen protesta, Trump kundërshtohet nga shumë krerë botëror

06.12.2017 22:53:30
Krerët e botës po shprehin shqetësim lidhur me vendimin e administratës Trump për të njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit dhe për të lëvizur ambasadën amerikane nga Tel Avivi në Jerusalem.

Ndërkohë një numër i madh demonstratash janë planifikuar për ditët e ardhshme në të gjithë botën arabe.

Presidenti francez, Emmanuel Macron nuk ka pranuar të mbështes vendimin e ‘njëanshëm’ të Trump për ta shpallur Jerusalemin kryeqytet të Izraelit.

Duke folur nga Algjeria ku ndodhet për një vizitë diplomatike, Macron këtë vendim e ka quajtur ‘për të ardhur keq’ përpara se të përsëriste thirrjet që statusi i Jerusalemit duhet të vendoset nga izraelitët dhe palestinezët nëpërmjet negociatave.

“Ky është një vendim keqardhje, Franca nuk e miraton dhe nuk e shkelë të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, ka thënë Macron.

Egjipti e ka hedhur poshtë vendimin e SHBA-ve, ndërsa Hamasi e ka quajtur një agresion flagrant ndaj popullit palestinez, raporton Reuters.

Diplomati palestinez, Saeb Erekat beson se vendimi i administratës Trum ka ‘shkatërruar çdo mundësi’ për një zgjidhje në mes dy shtetesh.

Ministria e Jashtme e Turqisë i ka bërë thirrje Uashingtonit të rishqyrtojë vendimin.

“Ne dënojmë deklaratën e papërgjegjshme të administratës amerikane. I bëjmë thirrje administratës amerikane që të rishikojë këtë vendim të gabuar që mund të marrë rezultate shumë negative dhe t’i shmangin hapat e pakalueshëm që do të dëmtojnë identitetin multikulturor dhe statusin historik të Jerusalemit”, thuhet në deklaratën e Ministrisë.

Ministri i Jashtëm i Katarit këtë vendim e ka quajtur “përshkallëzim të rrezikshëm dhe dënim me vdekje për të gjithë ata që kërkojnë paqe”.

Ndërsa, Ministria e Jashtme e Meksikës thotë se do të mbajë ambasadën e saj në Tel Aviv.

Kundër këtij vendimi është deklaruar edhe Bashkimi Evropian, duke e quajtur ‘shqetësim serioz’