Paralajmërohet angazhimi i ushtrisë malazeze në KFOR, Vulin e quan akt armiqësor ndaj Serbisë

02.07.2018 20:47:17

Parlamenti i Malit të Zi pritet të vendos sot për të dërguar ushtarakët e saj në Kosovë, në kuadër të misionit paqeruajtës të KFOR-it. Por një gjë e tillë nga ministri serb i Mbrojtjes po konsiderohet si akt armiqësie ndaj Serbisë.

Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, ka komentuar lidhur me debatin e paralajmëruar në Parlamentin e Malit të Zi, për shpalljen e dërgimit të pjesëtarëve të ushtrisë malazeze në Kosovë.

“Më vjen keq që udhëheqja e Malit të Zi vazhdimisht po harron se në Kosovë e Metohi ekziston Serbia, populli i Serbisë dhe interesat e Serbisë”, tha Vulin.

Anëtarët e Parlamentit malazez debatojnë sot për vendimin e Qeverisë së këtij vendi, për dërgimin e 40 pjesëtarë të ushtrisë malazeze në misionin “Përkrahja e vendosur” në Afganistan dhe dy oficerë të shtabit në KFOR në Kosovë, raporton Televzioni shtetëror i Malit të Zi, përcjell Telegrafi.

Në Partinë Demokratike Socialiste (DPS) të Malit të Zi besojnë se angazhimi i pjesëtarëve të ushtrisë malazeze në misionin ndërkombëtar në Kosovë kontribuon në ruajtjen e paqes në rajon, ndërsa opozita pretendon se ky vendim nuk është i mirë dhe as korrekt ndaj Serbisë dhe serbëve në Mal të Zi.