Parashikimi i motit për dy ditët e ardhshme, rikthehet vapa tropikale

06.08.2019 23:11:18

Vendi ynë do të vazhdojë të mbetet nën ndikimin e masave të qëndrueshme të ajrit me origjinë nga Afrika e Veriut.

Kjo situatë meteorologjike, sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës do të mundësojë mot të kthjellët, përjashtuar ditën e enjte, ku rrëzë maleve do të paraqiten vranësira të herë pas hershme, kryesisht në mesditë dhe orët vijuese, raporton Telegrafi.

Temperaturat priten të shënojnë rritje, krahasuar me ditët e fundit, duke lëvizur ndërmjet 12-16 gradë minimalet dhe 32-35 gradë maksimalet. Do të fryjë erë kryesisht nga lindja dhe verilindja e lehtë deri mesatare.

Indeksi UV mbetet shumë i lartë, prandaj, kontakti me rrezet direkt të diellit nga ora 9-17 mundësisht të jetë sa më i kufizuar, thuhet në njoftimin e IHMK-së.